Trendy

Himara përfshihet nga zjarret, banorëve u kërkohet të largohen nga shtëpitë

Para 33 minuta

Një zjarr me përmasa të mëdha ka përfshirë mbrëmjen e së premtes qytetin e Himarës, ndërsa për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, banorëve u është bërë thirrje të largohen menjëherë nga shtëpitë dhe bizneset e tyre, raporton ATSH.

Zjarri, i cili po përparon me shpejtësi, ka përfshirë dhe djegur një banesë, ndërsa flakët rrezikojnë edhe banesat e tjera në zonë.

Sipas raportimit të medieve, flakët janë përhapur me shpejtësi në kodrat pranë lagjes “1 Maji”, duke rrezikuar banesat, por edhe sipërfaqet me pemëtari që ndodhen në këtë zonë.

Duke parë ritmin e shpejtë të përhapjes së zjarrit dhe rrezikun që paraqet për banorët, kryebashkiaku i Himarës, Vangjel Tavo, u ka bërë thirrje banorëve që të largohen menjëherë nga shtëpitë dhe bizneset e tyre.

“Për shkak të zjarrit të papritur që po përparon drejt zonave të banuara ju bëjmë thirrje të largoheni nga shtëpitë, bizneset apo ambiente të tjera që përbëjnë rrezik për jetën”, thuhet në thirrjen urgjente të kryebashkiakut Tavo në rrjetet sociale.

Ai u sugjeron banorëve të kërkojnë ndihmën e organeve të Policisë së Rendit, asaj bashkiake, zjarrfikësve dhe urgjencës mjekësore në çdo kohë, duke u kërkuar të ruajnë qetësinë dhe të zbatojnë udhëzimet e autoriteteve.

Në terren ndodhen banorë të Himarës, të cilët po ndihmojnë forcat zjarrfikëse në përpjekje për të vënë nën kontroll flakët.

Për shkak të situatës së vështirë dhe erës së fortë, e cila favorizon përhapjen e zjarrit, zjarrfikësit kanë kërkuar edhe ndihmën e forcave zjarrfikëse nga bashkitë fqinje. Janë nisur mjete zjarrfikëse nga Vlora, Saranda, Delvina dhe Finiqi.

Puna e forcave në terren është përqendruar në izolimin e përparimit të flakëve dhe mbrojtjen e banesave dhe pronave që ndodhen në zonë.

Trending