Trendy

Hungaria vendos limit për mandatin e kryeministrit

Para 15 minuta

Parlamenti i Hungarisë ka miratuar një amendament kushtetues që kufizon në tetë vite kohëzgjatjen totale të mandatit të kryeministrit.

Ligji ka efekt prapaveprues, çka do të thotë se ish-kryeministri Viktor Orbán, i cili drejtoi vendin për rreth dy dekada, nuk do të mund të rikthehet më në postin e kreut të qeverisë.

Amendamenti u miratua me 135 vota pro dhe 50 kundër.

Nisma u paraqit nga partia Tisza e kryeministrit aktual Péter Magyar, e cila zotëron shumicën kushtetuese në parlament dhe ka premtuar reforma të thella për ristrukturimin e sistemit politik dhe afrimin e Hungarisë me standardet e demokracive liberale evropiane.

Përveç kufizimit të mandateve, ligji parashikon edhe mbylljen e Zyrës për Mbrojtjen e Sovranitetit, një institucion që ishte kritikuar prej kohësh nga opozita dhe organizatat ndërkombëtare.

Komisioni Evropian kishte ngritur më herët shqetësime se veprimtaria e kësaj zyre binte ndesh me legjislacionin e Bashkimit Evropian, ndërsa kritikët e konsideronin atë një instrument për konsolidimin e pushtetit gjatë qeverisjes së Orbán.

Një tjetër dispozitë e amendamentit i jep qeverisë kompetenca për të shpërbërë fondet publike të besimit, të cilat sipas kritikëve ishin përdorur për të transferuar kontrollin e universiteteve dhe institucioneve publike te persona të afërt me administratën e mëparshme.

Ligji tani i kalon për firmë presidentit Tamás Sulyok, i emëruar gjatë qeverisjes së mëparshme. Megjithatë, edhe nëse presidenti vendos ta kthejë për rishqyrtim, shumica parlamentare ka votat e nevojshme për ta miratuar sërish.

Kufizimi i mandateve ishte paralajmëruar që në maj nga partia Tisza, e cila kishte propozuar vendosjen e një limiti prej dy mandatesh për kryeministrin.

Trending