Në prag të njëvjetorit të qeverisjes, liderët e koalicionit VLEN mbajtën sot pasdite një konferencë për shtyp, ku shpalosën arritjet kryesore të vitit të parë në pushtet. Vëmendja kryesore iu kushtua luftës kundër industrisë së bixhozit dhe kazinove online, të cilën ata e konsiderojnë një nga plagët më të rënda sociale të trashëguara nga qeverisjet e mëparshme.
Zëvendëskryeministri i parë dhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti, e cilësoi këtë periudhë si fundin e një epoke kriminale, duke theksuar:
“E fituam luftën kundër industrisë së kazinove e bixhozit, që për dekada shkatërronte familjet dhe ekonominë tonë.”
Duke përshkruar gjendjen e trashëguar, Mexhiti vijoi:
“Për vite me radhë, nën sytë e një qeverie të korruptuar dhe të kapur nga interesat e ngushta, jo vetëm që kishte kazino të hapura në çdo skaj të vendit, por edhe kazino online që vepronin në mënyrë të paligjshme, duke helmuar rininë, shkatërruar familje dhe varfëruar çdo cep të shoqërisë sonë.”
Ai theksoi se kjo nuk ishte vetëm një dukuri e lejuar nga pakujdesia, por një skemë e organizuar me qëllim përfitimi politik dhe financiar:
“Këto kazino kanë qenë skemë e qëllimshme, e ndërtuar për të pasuruar një kastë të privilegjuar të politikanëve, në kurriz të popullit.”
Në një nga mesazhet më të forta të fjalimit të tij, Mexhiti shpalli mbylljen e një kapitulli të errët për vendin:
“Dhe këtë vit të qeverisjes sonë, ky kapitull i zi mori fund. Mbyllëm 226 kazino online dhe goditëm tregun e paligjshëm, duke i dhënë fund këtij helmi social.”
Në fund, ai e përmbylli fjalën e tij me një mesazh drejtuar qytetarëve dhe institucioneve, duke theksuar vendosmërinë për të çuar përpara reformën:
“VLEN-i ka kthyer dinjitetin qytetarit! Me vendosmëri dhe me ligjin në dorë, në faza të qarta dhe të qëndrueshme, mbyllëm dhe do të mbyllen të gjitha këto porta të helmit dhe korrupsionit.”
Konferenca u pa si një mesazh politik i fuqishëm, ku VLEN u paraqit si forca që jo vetëm ka ndërprerë një praktikë të dëmshme, por edhe si garanci për ndërtimin e një shteti më të drejtë dhe më të pastër.





