Dega e VLEN-it në Shuto Orizarë ka reaguar pas tubimit të fundit të BDI-së në këtë komunë, duke akuzuar kryetarin e degës së BDI-së, Ilaz Leskovica, për përdorimin e gjuhës fyese dhe denigruese ndaj drejtuesve të VLEN-it, përcjell tetova1
Në reagimin e saj, VLEN thotë se në tubimin ku ishte i pranishëm edhe lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, qytetarëve nuk iu prezantua asnjë vizion, program apo ide për të ardhmen, por, sipas tyre, dominuan fyerjet dhe etiketimet ndaj kundërshtarëve politikë.
Nga VLEN i drejtojnë një pyetje publike Ali Ahmetit, duke kërkuar të dijë nëse kjo është reforma që BDI po ua premton qytetarëve. Sipas tyre, nëse kjo përfaqëson reformën e partisë, atëherë bëhet fjalë vetëm për vazhdimin e kulturës së vjetër politike, të karakterizuar nga ofendimet, arroganca dhe përbuzja ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Më tej, dega e VLEN-it thekson se një parti që pretendon se po reformohet duhet ta dëshmojë këtë përmes gjuhës, sjelljes dhe kulturës demokratike, e jo duke toleruar apo inkurajuar fyerjet nga drejtuesit e saj.
“Nëse BDI nuk distancohet nga kjo gjuhë, atëherë bëhet e qartë se ofendimi është pjesë e mënyrës së tyre të të bërit politikë dhe se e ashtuquajtura reformë nuk është gjë tjetër veçse një slogan pa përmbajtje”, thuhet në reagim.
Në fund, VLEN thekson se nuk do t’i përgjigjet gjuhës së urrejtjes me të njëjtën mënyrë, por do të vazhdojë të komunikojë me argumente, respekt për qytetarët dhe vizion për ndryshim, duke vlerësuar se politika fitohet me besimin e qytetarëve dhe jo me fyerje./tetova1.mk










