Trendy

Imeri Stafai: Qëndrimi i BDI-së për qeverinë teknike është hipokrizi

Para 2 orë

Deputetja e koalicionit VLEN, Saranda Imeri Stafai, ka reaguar ashpër ndaj qëndrimeve të BDI-së lidhur me qeverinë teknike, duke i cilësuar ato si përpjekje për të shtrembëruar realitetin politik, përcjell tetova1

Në një postim publik, ajo thekson se qeveria teknike nuk ka qenë standard demokratik për t’u mbrojtur, por një zgjidhje e përkohshme e imponuar nga kriza e thellë politike, për të cilën, sipas saj, përgjegjëse ishte edhe vetë BDI në bashkëqeverisje me ish-kryeministrin Nikola Gruevski.

Imeri Stafai rikujton se kjo qeveri ishte krijuar për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një periudhë të karakterizuar nga përgjime masive, abuzime me pushtetin dhe krizë të thellë besimi, duke shtuar se sot ajo po paraqitet padrejtësisht si një arritje që duhet mbrojtur.

Ajo gjithashtu ngre pyetje për qëndrimin e BDI-së në vitin 2023, kur sipas saj, po e njëjta parti kishte dhënë miratim për heqjen e qeverisë teknike, duke kërkuar sqarim nëse kishte konsultime me ndërkombëtarët për këtë vendim.

Deputetja thekson se konteksti i vitit 2015 nuk ekziston më dhe se vendi ndodhet në një realitet të ri politik, me procese zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht, institucione më të forta dhe standarde më të larta demokratike, veçanërisht pas anëtarësimit në NATO.

Sipas saj, insistimi për rikthimin e një mekanizmi të tillë është i panevojshëm dhe i tejkaluar, duke e cilësuar si pengesë për zhvillimin demokratik dhe shmangie të përgjegjësisë politike.

Postimi i plotë i Saranda Imeri Stafait:

“Qëndrimi i BDI-së është hipokrizi e pastër dhe përpjekje për të shtrembëruar realitetin politik. Qeveria teknike nuk ishte ndonjë standard demokratik për t’u mbrojtur sot, por një zgjidhje emergjente e imponuar nga një krizë e thellë politik, krizë që erdhi si rezultat i bashkëqeverisjes së komprometuar dhe skandaleve të rënda ku BDI ishte pjesë, në partneritet me regjimin e Nikola Gruevskit.

Le të kujtojmë pse u krijua kjo qeveri: për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme në një moment kur shteti ishte i kapur nga përgjime masive, abuzim me pushtetin dhe një krizë e thellë besimi. Pra, ishte një mekanizëm i përkohshëm për të rikthyer minimumin e demokracisë, jo një model për t’u ruajtur pafundësisht.

Sot, BDI përpiqet ta paraqesë atë si “arritje që duhet mbrojtur”, duke fshehur faktin se vetë ishte pjesë e problemit që e bëri të nevojshme një zgjidhje të tillë. Madje, në vitin 2023, po e njëjta BDI ka dhënë miratim për heqjen e qeverisë teknike. Andaj lind pyetja e drejtpërdrejtë: a u konsultua BDI-ja me ndërkombëtarët kur kërkoi heqjen e Qeverisë teknike në vitin 2023?

Konteksti i vitit 2015 nuk ekziston më. Nuk jemi më në atë realitet krizash politike, tensionesh sigurie dhe kolapsi institucional. Përkundrazi, sot me qeverisjen e VLEN kemi një realitet tjetër: procese zgjedhore të njohura ndërkombëtarisht, mbikëqyrje më të fortë institucionale dhe standarde më të larta demokratike. Si anëtare e NATO-s, vendi ka hyrë në një fazë të re stabiliteti dhe përgjegjësie shtetërore. Madje, zgjedhjet lokale të vitit të kaluar u vlerësuan si ndër më demokratiket në historinë e vendit.

Kjo e bën qeverinë teknike jo vetëm të panevojshme, por edhe të tejkaluar. Të insistosh sot në një mekanizëm krize është përpjekje për të mbajtur peng zhvillimin demokratik dhe për të shmangur përgjegjësinë në një sistem normal politik.

VLEN mbetet e qartë: vendi ka nevojë për institucione funksionale, legjitimitet të plotë politik dhe zgjedhje që organizohen nga qeveri me mandat të plotë, jo për modele të përkohshme që i përkasin një epoke krize që tashmë ka përfunduar.”/tetova1.mk/

Trending