Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka deklaruar se përfaqësuesja e Iran do të marrë pjesë ‘pa asnjë dyshim’ në FIFA World Cup 2026, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Izraelin.
Gjatë një forumi ndërkombëtar, Infantino theksoi se futbolli duhet të qëndrojë i ndarë nga politika, duke e konsideruar pjesëmarrjen e Iranit si thelbësore për frymën e sportit.
Ai u shpreh i bindur se kombëtarja iraniane do të jetë pjesë e turneut, ndërsa shtoi se shpreson që deri në atë kohë situata ndërkombëtare të jetë stabilizuar.
Kreu i FIFA-s nënvizoi gjithashtu se lojtarët iranianë kanë dëshirë të konkurrojnë dhe se institucioni që ai drejton synon të ndërtojë ura përmes futbollit, edhe në periudha tensionesh globale.
Megjithatë, pjesëmarrja e Iranit ka qenë subjekt diskutimesh për shkak të zhvillimeve gjeopolitike dhe shqetësimeve për sigurinë, sidomos pas thirrjeve nga disa zëra në Shtetet e Bashkuara që sugjerojnë kufizimin e udhëtimit të ekipit.
Pavarësisht këtyre debateve, FIFA mbetet e vendosur që turneu të zhvillohet sipas planit, me përfshirjen e të gjitha skuadrave të kualifikuara.










