Forcat e armatosura iraniane deklaruan se kanë kontroll të plotë mbi Ngushticën strategjike të Hormuzit dhe paralajmëruan se do të ndërhyjnë ndaj çdo përpjekjeje për të penguar menaxhimin e saj ose lirinë e lundrimit në zonë.
Në një deklaratë të publikuar nga agjencia Tasnim, e afërt me Gardën Revolucionare (Pasdaran), Shtabi Qendror Khatam al-Anbiya theksoi se të gjitha anijet tregtare, cisternat dhe mjetet e tjera detare duhet të kalojnë vetëm përmes korridoreve të përcaktuara dhe të marrin autorizimin e Marinës iraniane.
Autoritetet iraniane nënvizuan se Ngushtica e Hormuzit administrohet nga Republika Islamike “me autoritet të plotë”, duke e cilësuar atë një zonë nën mbikëqyrjen e drejtpërdrejtë të forcave iraniane.
“Çdo veprim i anijeve ushtarake që synon të ndërhyjë në menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit ose të pengojë trafikun detar do të përballet me reagimin e forcave të armatosura të Republikës Islamike të Iranit”, thuhet në deklaratë.
Paralajmërimi vjen në një moment tensionesh të larta në rajon, ndërsa Ngushtica e Hormuzit mbetet një nga rrugët më të rëndësishme detare për transportin global të naftës dhe gazit.










