Trendy

Izet Mexhiti: Teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut, jo e kundërta

Para 4 javë

“Konferenca Ndërkombëtare Rregullatore 2025, e mbajtur në Shkup nën mikpritjen e Agjencisë për Komunikime Elektronike, solli një mesazh të qartë: teknologjia duhet t’i shërbejë njeriut, jo e kundërta. Nën moton “Përdorimi i teknologjisë për një të ardhme digjitale”, u trajtuan çështje me ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve, nga siguria kibernetike dhe zhvillimi i infrastrukturës digjitale, deri te harmonizimi i rregulloreve me BE-në dhe ruajtja e balancës midis përparimit teknologjik dhe humanizmit.

Në fjalën time theksova se transformimi digjital tani është edhe sfidë e thellë shoqërore. Institucionet kanë përgjegjësinë që këtë zhvillim ta udhëheqin me transparencë, llogaridhënie dhe një vizion të qartë, gjithmonë në funksion të mirëqenies së qytetarit.

Këtë vit u shënuan tre përvjetorë të rëndësishëm: 25 vjet nga themelimi i trupit të parë rregullator në fushën e telekomunikacionit në vend, 20 vjet nga krijimi i AEK si institucion i pavarur, dhe 160 vjet nga themelimi i ITU – Unionit Ndërkombëtar të Telekomunikacionit. Një jubile i trefishtë që reflekton jo vetëm historinë, por edhe rritjen e përgjegjësive tona si rregullatorë dhe vendimmarrës në një epokë dinamike dhe gjithnjë në ndryshim.

Përgëzoj organizatorët dhe të gjithë pjesëmarrësit për diskutimet me përmbajtje e vizion. Le ta ndërtojmë së bashku një të ardhme ku teknologjia mbetet mjet për zhvillim, përfshirje por dhe dinjitet njerëzor” – shkruan Mexhiti.

Trending