Ish-deputeti Izet Zeqiri ka rikujtuar një iniciativë ligjore të dorëzuar në Kuvendin e Maqedonisë në vitin 2012, e cila synonte zhbllokimin e proceseve për përcaktimin dhe ndryshimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore në komunat multietnike.
Sipas Zeqirit, propozim-ligji për plotësimin e Ligjit për Komitetin për Marrëdhënie Midis Bashkësive u shqyrtua në seancë parlamentare, por nuk arriti të marrë mbështetjen e nevojshme për t’u votuar.
Ai rikujton se iniciativa parashihte që, në rastet kur komunat nuk arrijnë konsensus për emërtimin e rrugëve dhe hapësirave publike për shkak të bllokadave politike apo përdorimit të mekanizmit të Badenterit, vendimmarrja t’i kalonte Komitetit për Marrëdhënie Midis Bashkësive.
“Komiteti, pas kërkesës së Këshillit të Komunës, brenda afatit prej një muaji nga paraqitja e iniciativës, do të merrte vendim për përcaktimin e emrave të rrugëve, shesheve, urave dhe objekteve të tjera infrastrukturore”, thuhej në propozimin e paraqitur nga Zeqiri.
Në arsyetimin e tij, ai kishte theksuar se në shumë komuna procesi i ndryshimit të emrave të rrugëve mbetej i bllokuar për vite të tëra, duke penguar realizimin e të drejtave të bashkësive etnike dhe duke krijuar pabarazi në përfaqësimin e figurave historike, kulturore dhe kombëtare në hapësirat publike.










