Ministri izraelit i Mbrojtjes Israel Katz tha të enjten se ka udhëzuar ushtrinë të përgatisë planin për largimin nga Gaza të një numri të madh palestinezësh në rrugë tokësore, detare dhe ajrore.
Zoti Katz mirëpriti atë që ai e quajti “plan i guximshëm” i Presidentit amerikan Donald Trump për largimin e banorëve të Gazës nga territori i shkatërruar nga sulmet tokësore dhe ajrore izraelite me objektiv militantët e Hamasit.
Zyrtarët palestinezë e hodhën poshtë planin e Presidentit Trump që sugjeron që Shtetet e Bashkuara të marrin nën kontroll Rripin e Gazës, e të detyrojnë zhvendosjen në vende të tjera të 2 milionë palestinezëve. Zoti Trump tha se rajoni përgjatë Detit Mesdhe do të shndërrohet në “rivierën e Lindjes së Mesme”.
Presidenti Trump i bëri komentet të martën gjatë një konferencë të përbashkët shtypi me Kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.
Në një intervistë të mërkurën për rrjetin televiziv Fox News, zoti Netanyahu tha se palestinezët mund të largohen nga Gaza ndërsa ajo rindërtohet e më pas të kthehen.
“Është një ide e jashtëzakonshme dhe mendoj se duhet shqyrtuar e realizuar, sepse mendoj se do të krijojë një të ardhme ndryshe për të gjithë”, tha ai.
Propozimi i zotit Trump ka hasur në kritika të gjera, përfshirë edhe Kombet e Bashkuara. Zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric, u tha gazetarëve të mërkurën se çdo zhvendosje e detyruar “është e barabartë me një spastrimin etnik”.
Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier tha të mërkurën se propozimet e Presidentit Trump “kanë krijuar shqetësim të thellë tek disa njerëz, madje edhe tmerr”. Ai tha se bazuar në ligjin ndërkombëtar këto propozime janë të papranueshme.
Lidhja Arabe, e cila ka 22 anëtarë në përbërje të saj, tha se plani i Presidentit Trump “është një recetë për destabilitet” dhe se bie ndesh me perspektivën për një shtet palestinez.
Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur prej kohësh një zgjidhje me dy shtete që do t’i jepte fund konfliktit prej disa dekadash izraelito-palestinez.
“Ata duhet të lejohen në shkojnë në shtëpi”, tha të mërkurën Kryeministri britanik Keir Starmer.
“Ata duhet të lejohen të rindërtojnë dhe ne duhet t’i ndihmojmë në këtë drejtim dhe në rrugën drejt një zgjidhjeje me dy shtete”, shtoi ai.
Australia, Kina, Gjermania, Irlanda, Rusia, Arabia Saudite dhe Spanja thanë pas propozimit të presidentit amerikan, se ata vazhdojnë të mbështesin një zgjidhje me dy shtete.
Presidenti palestinez Mahmoud Abbas u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara që “të mbrojnë popullin palestinez dhe të drejtat e tij të patjetërsueshme”. Ai shtoi se plani i zotit Trump për Gazën do të ishte “një shkelje serioze e ligjit ndërkombëtar”.
Grupi militant Hamas e cilësoi gjithashtu propozimin e Presidentit Trump për Gazën një “recetë për kaos dhe tension në rajon”.
“Në vend që të mbajë pushtuesit zionistë përgjegjës për krimin e gjenocidit dhe të zhvendosjes, ata shpërblehen dhe nuk ndëshkohen”, tha Hamasi.