Qytetari E. Idrizi ka ndarë përvojën e tij lidhur me shërbimin në repartin e Ortopedisë në Spitalin Klinik të Tetovës, duke vlerësuar lart profesionalizmin dhe përkushtimin e stafit mjekësor, përcjell tetova1
Postimi i plotë:
“Kam qëndruar në spitalin e Tetovës, më saktësisht në repartin e ortopedisë, tashmë për disa ditë me radhë, shkaku i një ndërhyrjeje që i është bërë babait tim.
Dua të theksoj se jam i befasuar dhe i impresionuar nga puna dhe saktësia e repartit në tërësi, përfshirë mjekët, motrat dhe punonjësit. Puna dhe sjellja aty janë në një nivel tjetër nga ai me të cilin jemi mësuar në këtë spital. Çdo individ mundohet të kryejë punën sa më profesionalisht dhe me saktësi. Për më tepër, më ka lënë përshtypje edhe sjellja e mirë e stafit, që gjithmonë i ka munguar këtij institucioni kyç të shëndetësisë.
Tani, nuk mund të them se kush ka meritat më të mëdha—stafi apo menaxhmenti aktual —por kam besim se janë të dyjat.
Shfrytëzoj rastin që të falënderoj të gjithë stafin mjekësor për punën e palodhur dhe bujare që bëjnë çdo ditë, pavarësisht kushteve të vështira me të cilat përballen. Gjithashtu, ju ftoj të gjithëve që të respektojmë sa më shumë mjekët, motrat medicinale dhe stafin e reparteve, veçanërisht të tillët që tregojnë saktësi dhe profesionalizëm. Ata kanë nevojë për bashkëpunimin, përkrahjen dhe respektin tonë. Zoti i shpetbleftë me të mira.
Për fund, dua ta mbyll këtë postim me atë që gjithmonë e kam mbrojtur si ide: se vullneti i mirë, profesionalizmi dhe etika mund të bëjnë ndryshime esenciale dhe vendimtare në shoqëritë tona”, ka përfunduar Idrizi./tetova1.mk/











