Trendy

Janevska: Ligji për arsim të lartë nuk tërhiqet…

Para 1 orë

Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, e bëri të qartë sot se Ligji i ri për arsimin e lartë së shpejti do të hyjë në procedurë qeveritare. Pavarësisht kërkesave të një grupi të caktuar profesorësh për tërheqjen dhe rishikimin e tij, Janevska tha se puna njëvjeçare e grupit të punës nuk do të anulohet.

Sipas saj, rezistenca midis një pjese të komunitetit akademik vjen nga frika e përmbushjes së kritereve të reja, më të larta.
Ministrja iu përgjigj drejtpërdrejt kritikëve, duke theksuar se ligji ofron fleksibilitet, por jo lëshime në cilësi.

“Një grup i vogël profesorësh po kërkojnë tërheqjen e ligjit. Supozoj se kjo është nga frika se në të ardhmen nuk do të jenë në gjendje të përmbushin kushtet e kërkuara nga ligji. Ata kanë dy mundësi. Mundësia e parë është që ata të fillojnë seriozisht punën. Mundësia e dytë është të qëndrojnë në të njëjtin titull për një periudhë më të gjatë kohore, dhe pastaj, kur të jenë gati, të kalojnë në titullin tjetër. Ata nuk kanë çfarë të humbasin nga kjo”, tha Janevska.

Ajo tha se qëllimi kryesor i këtyre ndryshimeve ligjore është përmirësimi i vlerësimit të universiteteve të Maqedonisë dhe pozicionimi i tyre në Listën prestigjioze të Shangait. Ministrja theksoi se të gjitha vërejtjet konstruktive tashmë janë përfshirë në tekstin përfundimtar.

Trending