Trendy

JD Vance: SHBA është shumë pranë një marrëveshjeje me Iranin

Para 34 minuta

Administrata amerikane beson se është më afër se kurrë arritjes së një marrëveshjeje me Iranin, megjithëse afati i saktë mbetet ende i paqartë.

Në një intervistë për emisionin “CBS Sunday Morning”, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance deklaroi se negociatat po ecin në drejtimin e duhur dhe se një marrëveshje mund të arrihet shumë shpejt.

Marrëveshja mund të ndodhë javën e ardhshme, por mund të ndodhë edhe pas disa muajsh”, tha Vance në intervistën e realizuar të martën.

Megjithatë, ai u shpreh i bindur se palët do të arrijnë një rezultat përpara zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA, të cilat do të mbahen në nëntor.

Absolutisht. Besoj se do të dimë shumë më tepër përpara zgjedhjeve të mesmandatit”, u përgjigj ai kur u pyet nëse një marrëveshje do të finalizohej para këtij afati.

Deklaratat e Vance vijnë vetëm pak ditë pasi presidenti Donald Trump tha se një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit mund të arrihet brenda dy javësh. Më pas, ai e ngushtoi edhe më tej afatin, duke u thënë gazetarëve se një zgjidhje mund të vijë “brenda dy ose tre ditësh”.

Megjithatë, pak orë më vonë, Trump njoftoi se Irani kishte rrëzuar një helikopter amerikan Apache dhe paralajmëroi se Shtetet e Bashkuara do të përgjigjeshin ndaj sulmit.

Pavarësisht tensioneve të fundit, Vance u shfaq optimist për mundësinë e një marrëveshjeje që jo vetëm do të ulte tensionet aktuale, por do të garantonte edhe stabilitet afatgjatë.

Për momentin besoj se jemi në një pozicion për të arritur një marrëveshje që është e mirë ekonomikisht për Shtetet e Bashkuara dhe që adreson realisht programin bërthamor iranian, jo vetëm tani dhe jo vetëm gjatë presidencës së Donald Trumpit, por në afat të gjatë”, deklaroi ai.

Sipas zëvendëspresidentit amerikan, ky mbetet objektivi kryesor i politikës së administratës Trump ndaj Iranit.

Ky është qëllimi ynë dhe mendoj se jemi shumë pranë arritjes së tij. Por kemi ende punë për të bërë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë”, shtoi Vance.

Deklaratat e tij vijnë në një moment kur Uashingtoni po përpiqet të ruajë armëpushimin e brishtë mes Iranit dhe Izraelit, ndërsa paralelisht vazhdojnë përpjekjet diplomatike për një marrëveshje më të gjerë mbi programin bërthamor iranian.

Trending