“Rekomandimet e Komisionit të Venecias nuk e prekin çështjen e gjuhës në të cilën do të zhvillohet provimi i jurisprudencës, por insistojnë që procedurat gjyqësore të zhvillohen në mënyrë që të mos dëmtohet asnjë proces dhe të zbatohet drejt ligji”, shpjegon akademiku dhe profesori Vlado Kambovski për “Lokalno”, lidhur me kërkesën e studentëve shqiptarë, përcjell INA.
“Vërejtjet e Komisionit të Venecias kanë të bëjnë me përdorimin e gjuhëve në procedurat gjyqësore. Kjo tregon kompleksitetin e çështjes kur në procedurë përdoren gjuhë të ndryshme, gjë që mund të çojë në mosrealizimin e qëllimeve të procesit, siç janë interpretimi korrekt i akteve dhe marrja e vendimeve të drejta.
Në procedurat gjyqësore ku marrin pjesë subjekte të ndryshme, gjykata ose prokurori publik e zhvillojnë procedurën në mënyrë që të mos ketë interpretime të gabuara apo përkthime të pasakta, të cilat do ta vështirësonin zbatimin e ligjit”, shton akademiku dhe ish-ministri i drejtësisë.
Ai thotë se personalisht nuk ka asgjë kundër që provimi i jurisprudencës të jepet në gjuhën shqipe, por ata që do ta japin duhet të kenë njohuri të përsosura të gjuhës maqedonase dhe të terminologjisë që përdoret në procedurat gjyqësore, në mënyrë që asnjë palë në proces të mos dëmtohet për shkak të interpretimeve të ndryshme të termave në gjuhë të ndryshme.





