Bashkëkryetarët e VLEN-it, Bilall Kasami, së bashku me Izet Mexhitin, kanë marrë pjesë në tubimin përmbyllës të fushatës zgjedhore të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, në prag të zgjedhjeve që mbahen nesër në Kosovë.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kasami ka përcjellë mesazhin “Kosova ia qiti pikën!”, duke theksuar se ishte i pranishëm pranë Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti në tubimin që ai e cilësoi si madhështor.
“Pranë VETËVENDOSJES! dhe Albin Kurtit, në tubimin madhështor në Prishtinë, ku miqtë tanë nga VV-ja përmbyllën fushatën pozitive dhe energjike për zgjedhjet e nesërme në Kosovë”, ka shkruar Kasami.
Ai bëri të ditur se në tubim morën pjesë edhe sekretari i përgjithshëm i VLEN-it, Bekim Sali, nënkryetarët Mimoza Musa dhe Bekim Qoku, si dhe deputetë e funksionarë të tjerë të koalicionit.
Kasami theksoi se delegacioni i VLEN-it kishte udhëtuar në Prishtinë për të mbështetur, siç u shpreh ai, “të drejtën, të mirën dhe zhvillimin e Kosovës”.
Në fund të mesazhit të tij, ai i uroi suksese Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e së dielës, duke shtuar se VLEN do të jetë partner për thellimin e bashkëpunimit vëllazëror ndërmjet Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.
“Albin Kurtit dhe VETËVENDOSJES! i dëshirojmë suksese në zgjedhjet e nesërme, ndërsa te VLEN-i do të gjejnë partner për ta thelluar bashkëpunimin vëllazëror mes dy vendeve tona”, ka deklaruar Kasami./ZYRTARE/










