Trendy

Katastrofë hekurudhore në Stuttgart – viktima dhe të plagosur!

Para 4 muaj

Më 28 korrik 2025, një aksident tragjik ka ndodhur në Gjermani, ku një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat si pasojë e një rrëshqitjeje të dheut të shkaktuar nga shpërthimi i një kanalizimi.

Sipas autoriteteve lokale, shpërthimi ndodhi pas reshjeve të dendura që shkaktuan mbingarkesë në sistemin e kanalizimeve, duke çuar në shembjen e dheut përgjatë brigjeve pranë linjës hekurudhore, ndërmjet qyteteve Riedlingen dhe Munderkingen, afër Stuttgartit.

Si pasojë e aksidentit, kanë humbur jetën tre persona: shoferi i trenit, një punonjës i hekurudhës dhe një pasagjer. Ndërkohë, 41 të tjerë janë plagosur, disa prej tyre rëndë.

Prokurorët dhe autoritetet hekurudhore kanë nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e incidentit, ndërsa ekipet e emergjencës kanë qenë në terren për t’u dhënë ndihmë të plagosurve dhe për të siguruar zonën.

Kancelari gjerman Friedrich Merz ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, duke shprehur “dhimbje të thellë për viktimat” dhe duke ofruar “ngushëllimet më të sinqerta” për familjet e tyre. Ai gjithashtu ka njoftuar se është në kontakt të vazhdueshëm me ministrin e Punëve të Brendshme dhe atë të Transportit, duke kërkuar që shërbimet emergjente të pajisen me gjithë mbështetjen e nevojshme.

Tragjedia ka tronditur opinionin publik gjerman dhe ndërkombëtar, ndërsa autoritetet theksojnë se prioritet mbetet siguria e udhëtarëve dhe rivënia në funksion e linjës pas një ekspertize të plotë teknike.

Trending