Qytetarë nga qytete të ndryshme të vendit janë mbledhur në Prishtinë për marshin “Jo në emrin tim”, përmes të cilit po kundërshtohet aktgjykimi i Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Pjesëmarrësit kanë shprehur pakënaqësi të thellë ndaj vendimit, duke kërkuar drejtësi dhe lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, ndërsa kanë bërë thirrje që protestat të vazhdojnë edhe në ditët në vijim.
Osman Morina nga Gjilani në një prononcim ka thënë se e konsideron të padrejtë atë që u është bërë ish-krerëve të UÇK-së, duke theksuar se protestat do të vazhdojnë deri në lirimin e tyre.
“Kjo është tmerr për neve. Se këtë ditë të lirë, ata na kanë pru këtë ditë të sotit që e gëzojmë me fëmijët tonë, me të gjithë Kosovën. Kjo është një turp i madh, një padrejtësi e madhe çka iu ka bë këtyre krerëve të Ushtrisë Çlirimtare. Edhe sa më shpejt dojmë lirimin e tyre. Në çdo moment nuk do t’i ndalim protestat asesi. Do të vazhdojmë deri në lirimin e tyre. E shpresojmë shumë edhe e kemi një besim që Gjykata e Apelit do të lirohen krerët tanë”, ka deklaruar Morina.
Edhe Rifat Arifaj nga Istogu ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj aktgjykimit, duke thënë se ka dalë në marsh për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së së bashku me të rinjtë.
Ai ka kritikuar edhe partitë politike që, sipas tij, nuk po marrin pjesë në protesta, ndërsa ka vlerësuar se vendimet e Speciales janë të padrejta dhe pa bazë.
“Kemi dalë për me i mbrojt çlirimtarët edhe me rininë tonë. Mirë, po ka shumë dëme. Ka parti që janë kundraj, që s’marrin pjesë, po e bëjnë kundraj. Parti në Kosovë që ekzistojnë, edhe në qeveri. Medoemos, duhet me u lirue. Kjo është krim! Shumë i padrejtë, maksimalisht i padrejtë! Pa kurrfarë baze, pa kurrfarë dëshmie, pa kurrfarë gjëje”, ka thënë Arifaj.
Ndërkaq, një qytetar tjetër ka shprehur pakënaqësinë e tij ndaj vendimit të gjykatës, duke e cilësuar atë si të padrejtë dhe duke ngritur pretendime për ndikime nga Serbia në proces.
Ai ka kërkuar që përgjegjësia për veprimet e kryera gjatë luftës të trajtohet sipas ligjeve të Kosovës, duke shprehur kritika edhe ndaj atyre që, sipas tij, kanë vepruar kundër interesave të kombit shqiptar.
“Domethënë këtë vlerë e kemi pasë të kombit shqiptar edhe këtë vlerë, Evropa me me tradhtarët shqiptarë po mendojnë me na shuar. Me tre gjykatës që janë atje, ne i humbim vlerat e kombit. Të padrejtë edhe të turpshëm edhe vendim, domethënë me pare prej Serbisë edhe Serbisë po i doket pak hala po jep pare. Dhe i ka ndarë 50 milionë me ble me ble tradhtarët shqiptarë me sa të mundet. Jo, të mjaftueshme s’janë! Ai duhet edhe tradhtarët me s’me i lënë me jetuar në liri po ata kanë pasë faj vetë. Ata që janë në Hagë se i kanë falur. Se çdo shtet tradhtarin nuk e fal. Ata s’duhet me i lejuar edhe me i dënuar me ligje të Kosovës”, tha qytetari.
Marshi “Jo në emrin tim” po mbahet në shenjë kundërshtimi ndaj aktgjykimit të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndërsa pjesëmarrësit po kërkojnë drejtësi për ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.











