Trendy

Koçani një vit pas tragjedisë: 63 jetë të reja të humbura, familjet ende kërkojnë drejtësi

Para 1 orë

Maqedonia e Veriut sot përkujton një vit nga një prej tragjedive më të mëdha në historinë e saj moderne – zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 63 të rinj dhe fëmijë, ndërsa 193 persona u plagosën, shumë prej të cilëve edhe sot vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të plagëve dhe traumave. Tragjedia ndodhi në natën mes 15 dhe 16 marsit 2025, kur një zjarr i fuqishëm përfshiu objektin gjatë një eventi me shumë të rinj.

 

Edhe një vit pas kësaj fatkeqësie, dhimbja në Koçan dhe në gjithë vendin mbetet e thellë. Në Gjykatë është në proces një procedurë gjyqësore kundër 35 personave, të cilët akuzohen për përgjegjësi të ndryshme lidhur me sigurinë e objektit, organizimin e ngjarjes dhe mbikëqyrjen institucionale. Tragjedia hapi një debat të gjerë publik për dështimet institucionale, kontrollin e objekteve publike dhe respektimin e standardeve të sigurisë, ndërsa familjarët e viktimave gjatë gjithë vitit kanë kërkuar drejtësi dhe përgjegjësi për atë që ndodhi.

Në Koçan është organizuar një program përkujtimor treditor nga 14 deri më 16 mars, me një sërë aktivitetesh për të nderuar viktimat e tragjedisë. Sot në kishën “Shën Gjergji” u mbajt liturgji për të ndjerët, ndërsa në orën 09:30 u zhvillua edhe parastosi i përgjithshëm për viktimat e zjarrit në diskotekën “Puls”. Shërbimet fetare u drejtuan nga kryepeshkopi i Ohrit dhe Maqedonisë, Stefan, së bashku me mitropolitin e Bregallnicës, Ilarion.

Trending