Trendy

Komandant Hoxha: Sot thonë se i kanë fituar luftërat, në 2001 ishin jashtë luftës duke përvetësuar miliona nga fondet e UÇK-së

Para 2 orë

Ish-komandanti i UÇK-së, Xhezair Shaqiri, ka reaguar përmes një postimi publik, duke hedhur akuza të rënda ndaj disa ish-strukturave ushtarake dhe politikanëve, për të cilët thotë se nuk kanë dhënë kontribut real gjatë luftës së vitit 2001, por pas përfundimit të saj kanë përvetësuar meritat dhe fondet e mbledhura nga mërgata, përcjell tetova1

Shaqiri rrëfen se pas luftës kishte takuar një gjeneral, i cili sipas tij ishte rreshtuar në UÇK vetëm më vonë, pasi kishte parë se luftëtarët po përballonin me sukses ofensivat. Ai thotë se gjatë bisedës e kishte pyetur pse nuk ishte mbajtur premtimi që lufta të niste në vendbanimet e secilit dhe pse nuk ishte organizuar logjistika për njësitë që luftonin në terren.

Sipas Shaqirit, bashkëbiseduesi i kishte pranuar kritikat dhe i kishte treguar disa dokumente ku ishin planifikuar brigada deri në Manastir, por ai vë në dyshim realizueshmërinë e këtyre planeve, duke theksuar se nuk kishte ushtarë, logjistikë dhe strukturë reale për t’i zbatuar.

Në postimin e tij, Shaqiri shpjegon se organizimi në terren, sipas tij, është bërë ndryshe, duke filluar fillimisht me sigurimin e logjistikës dhe armëve, ndërsa strukturat ushtarake – nga skuadrat deri te brigadat – janë krijuar gradualisht, në përputhje me nevojat e betejave dhe përvojën e luftëtarëve.

Ai pretendon se shumë persona nuk morën pjesë në luftë, nuk mobilizuan as familjarët dhe bashkëfshatarët e tyre, por qëndruan jashtë frontit, grumbulluan fondet dhe përvetësuan miliona pas luftës, ndërsa sot, sipas tij, po paraqiten si fitues të betejave.

Shaqiri ngre edhe pyetjen se ku do të kishin qenë këta persona nëse nuk do të ishin zhvilluar betejat në Karadak, Likovë dhe Tetovë, duke vlerësuar rezistencën e luftëtarëve të frontit si vendimtare për rrjedhën e konfliktit.

Në fund të reagimit, ai u bën thirrje politikanëve që ta përmendin UÇK-në me respekt dhe në funksion të përkujtimit, e jo, sipas tij, për ta përvetësuar apo njollosur atë. Shaqiri shton se ata duhet të pranojnë gabimet e bëra gjatë qeverisjes, të kërkojnë falje dhe të angazhohen për të punuar në interes të qytetarëve.

Postimi i plotë i Shaqirit:

“Pata takuar njerin nga Gjeneralet mbas luftes 2001,i cili me vones u rreshtua ne UÇK, mbasi e verejti qe djemté e UCK perballonin ofenzivat e njepasnjeshme me fitore, e ky iu bashkua Prizrenit se ne zonat e luftes nuk mund te i perballonte mungesat e lluksit te jetes se perditshme.

E pyeta: çka u ba? Ne u patem mar vesh qe secili ta nis luften ne vendbanimin e tij e shumë patet premtu po as ni kontribut nuk e dhat jo ne vendbanimet tuaja, por as ne nuk nai organizonit logjistiken a milionat i merrshi nga fondet e mergates ,ne kishim shpesh herë mungesë te armeve dhe municioneve.

Po, tha ke te drejt dhe u prezentoi disa letra ku i kish pas formu brigadat deri ne Manastir.

Ma shpjego pak i thash si do organizonit brigadat pa ushtar,ai me tregoi ne leter emrat e komandantëve te brigadave dhe batalioneve te pa formuara… Ok,i thash po si do mobizlizonin ushtaret e ku do i gjeni dhe logjistika etj… Filloi te fantazoj…

Une ia shpjegova ndryshe nga planet e tij se ne ne fillim kemi organizuar logjistiken ,bajtje te armeve e sipas nevojes se çdo ofenzive kur na u paraqitshin vullnetar i mobilizonim strukturat ushtarake prej Skuadre ,Togje,Kompani,Bataljone e deri ne brigad emronim komandant sipas pervojes qe tregonte ne beteja.

Ne jo qe mernim pjesë, por edhe familjar e shok e bashkfshatar i mobilizonim.

Këta as vetë, as familjarët, e as në fshatrat e tyre nuk ja ban ‘bam’ askund, përveçse ndejten jasht frontit ,grumbulluan fondet,i pervetsuan shumë miliona te mbas luftes ,tani edhe luftrat i paskan fituar me disa djemë te cilet vetem foto me uniforma kanë, pa marrë pjesë ne asnje betejë.

Na i shpjegoni ne detaje si keni luftuar, fituar betejat e luftes se UÇK-së,e ndoshta edhe do të fillojmë te ju besojmë qellimet e mira pa vepra qe na keni ndihmuar.

PS. Çka mendoni po mos te kishin filluar betejat e njepasnjeshme ne Karadak, Likovë, Tetovë dhe bërë rrezistencë me fitore te njepasnjeshme trimat e frontit, ku do te kishin qene sot keta te Prizrenit?

Phuuuuuuu bre….

Unë mendoj si shumë djemë te frontit te cilet jetojnë rëndë jeten disa ne vendlindje,disa burgjeve e disa ne mërgatë, qe ju politikanet te mireni me projekte ne politik dhe te permendni UCK, per perkujtim dhe respekt e jo ta pervetsoni UÇK-në, e ta njollosni.

Mund vetem te kerkoni falje dhe pranoni gabimet qe i keni bere ne pushtet e pastaj te thoni, ‘po kemi bere gabime dhe do t’i përmirësojmë gabimet dhe që tani kemi me fillu me punu për popullin se boll kemi vjedh’”, ka shkruar Shaqiri./tetova1.mk

Trending