Buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2025 do të afër 50 milionë euro, siç thonë nga komuna ky do të jetë buxheti më i madh i miratuar deri më tani, raporton Portalb.mk.
Këshilli Komunal në seancën e fundit me 27 vota për, asnjë të përmbajtur dhe asnjë kundër ka miratuar buxhetin për vitin 2025.
Nuredin Deari, udhëheqës i Sektorit të Financave në Komunën e Tetovës tha se buxheti i vitit 2025 do të jetë buxhet zhvillimor i cili është buxheti më i lartë ndonjëherë i votuar nga Këshilli i Komunës së Tetovës, dhe nëse këtij buxhet ia shtojmë projektet që pritet të miratohen nga Qeveria për vitin 2025 të ashtuquajtura nga kredia hungareze.
“Buxheti total do të jetë 49,3 milionë euro. Për vitin 2025 për investime kapitale Komuna e Tetovës ka ndarë 16.3 milionë euro. Viti 2025 në Tetovë do të bëhen investime në infrastrukturë, pjesa e rrugëve që kanë mbetur pa asfaltuar, ndërtimi i gypit kryesor të ujësjellësit dhe shumë projekte tjera kapitale”, tha Deari,
Buxhetin e votuan edhe këshilltarët e BDI-së, por ata përsëri kanë kritika për gjendjen financiare të Komunës së Tetovës. Këshilltari Liridon Disha tha se ndërmarrjet Publike Komunale janë ende në borxhe dhe ato zakonisht funksionojnë përmes subvencionimeve komunale.
“Investimet kapitale janë të pakënaqshme dhe shumica e buxhetit është koncentruar në shërbime komunale, ku ne kemi indikacione të shumta për keqpërdorime përmes shoqatave joqeveritare, organizime të evenimenteve të ndryshme etj. Çështje për diskutim janë edhe dyshimet për korrupsion në sektorin e urbanizmit për dhënien e lejeve të ndërtimit në mënyrë selektive”, tha Disha.
Ai shtoi se premtimet që u dhanë për teleferikun e Kodrës së Diellit, ndërtimin e parkingjeve nën dhe mbitokësore, ndryshimi dhe rikonstrukcioni i qendrës së qytetit, ndërtimi i stadiumit të qytetit, vazhdimi i rrugës Bllagoja Toska, ndërtimi i 4 pishinave, 4 shkollave të reja dhe shumë të tjera nuk u realizuan dhe edhe në këtë buxhet nuk janë paraparë për realizim.
Para se të miratohet buxheti janë realizuar takime dhe konsultime me qytetarët si dhe debat publik.
Kujtojmë që buxheti i Komunës së Tetovës për vitin 2024 ishte 31 milionë euro, në 2023 buxheti ishte 29 milionë euro, në 2022 buxheti ishte 26 milionë euro, ndërsa në vitin 2021 buxheti ishte 30 milionë euro.