Trendy

Tetovë – Oborret e shkollave shndërrohen në vende parkimi

Para 4 javë

Edhe këtë verë, qytetarët e Tetovës do të mund të shfrytëzojnë oborret e disa shkollave fillore dhe të mesme për parkimin e automjeteve. Zakonisht, për këtë qëllim lirohen oborret e shkollave që ndodhen në pjesën qendrore të qytetit. Me përfundimin e vitit shkollor, Komuna e Tetovës njoftoi se, me qëllim sigurimin e hapësirave të mjaftueshme për parkimin e veturave gjatë periudhës verore dhe deri në fillimin e vitit shkollor 2026/2027, do të vihen në dispozicion oborret e disa shkollave në territorin e komunës. Bëhet fjalë për oborrin e Shkollës fillore komunale “Liria”, oborrin e Shkollës fillore “Goce Dellçev”, shkollës “Istikball”, si dhe një pjesë të oborrit të Gjimnazit “Kiril Pejçinoviq”, përkatësisht hapësirën pranë terreneve sportive dhe pjesën afër objektit të vjetër të mjekësisë.

Situata bëhet edhe më sfiduese gjatë periudhës kur në vendlindje kthehen mërgimtarët dhe shumëfishohet numri i automjeteve që qarkullojnë në Tetovë. Në mungesë të vendeve të mjaftueshme për parkim, qytetarët shpesh detyrohen të parkojnë në vende të palejuara, duke krijuar vështirësi shtesë në komunikacion. Problemi është veçanërisht i theksuar në pjesën qendrore të qytetit, ku mungesa e vendparkimeve është më e madhe. Problemi i parkimit është evidentuar edhe në Planin e Mobilitetit për Komunën e Tetovës.

“Kërkesa e lartë për parkim në qendër të qytetit, sidomos përgjatë bulevardeve kryesore, mbetet një nga sfidat më të mëdha. Pas analizës së gjendjes ekzistuese është vlerësuar se ka kërkesa të larta për parkimin e automjeteve në qendër të qytetit dhe në zonat e tjera më të banuara. Në veçanti, kërkesa është më e madhe për vendparkimet në rrugë sesa për parkimet jashtë rrugës, ku nuk ekzistojnë kufizime kohore. Gjithashtu, evidentohet një nivel i lartë i parkimit afatgjatë në pjesë të ndryshme të qytetit, si dhe mungesa e zbatimit efektiv të rregullave të parkimit. Zbatimi i rregullave është kërkesë themelore për çdo strategji të suksesshme të menaxhimit të parkimit dhe në Tetovë ekzistojnë burime të kufizuara për kontrollimin dhe menaxhimin efektiv të këtij aktiviteti”, thuhet në plan.

Edhe pse në Tetovë ka më shumë se 1.400 vende parkimi, ato nuk janë të mjaftueshme për numrin e madh të automjeteve që qarkullojnë çdo ditë në qytet. Plani i Mobilitetit rekomandon edhe mënyra të tjera për rritjen e kapaciteteve të parkimit.

“Ndonëse një pjesë e madhe e zonës urbane përfiton qasje të mirë në kapacitetet ekzistuese dhe të reja të parkimit, ende ka zona që mbesin jashtë kësaj mbulese, veçanërisht lagjet rezidenciale dhe skajet e qytetit. Këto zona përfaqësojnë prioritete për ndërhyrje të mëtejshme përmes zgjerimit të parkimeve zonale, riorganizimit të rrugëve lokale ose përmirësimit të lidhjes me transportin publik. Analiza hapësinore tregon qartë se zgjidhja e problemit të parkimit në Tetovë nuk lidhet vetëm me rritjen e numrit të vendparkimeve, por edhe me vendosjen e tyre strategjike në raport me strukturën urbane dhe modelet e lëvizjes”, thuhet në dokument. Megjithatë, një nga rekomandimet kryesore të planit, ndërtimi i parkingjeve në kate, vazhdon të mbetet i parealizuar, ndërsa qyteti përballet çdo vit me të njëjtin problem. (koha.mk)

Trending