Trendy

Kritikat nga BE, Vuçiç refuzon të marrë pjesë në varrimin e Mlladiç: Kam një vizitë zyrtare

Para 2 javë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç ka deklaruar se nuk do të marrë pjesë të hënën në varrimin e ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Srpska, Ratko Mlladiç, i dënuar nga Gjykata e Hagës për gjenocid dhe krime të tjera lufte.

Vuçiç tha se në të njëjtën ditë do të zhvillojë një vizitë zyrtare me Presidentin e Uzbekistanit, Shavkat Mirziyoyev, e cila, sipas tij, ishte planifikuar prej disa muajsh.

“Kam një vizitë zyrtare të Presidentit të Uzbekistanit gjatë gjithë ditës të hënën dhe të martën, e planifikuar katër muaj më parë”, deklaroi Vuçiç gjatë vizitës së tij në Paliç, kur u pyet nëse do të merrte pjesë në ceremoninë e varrimit.

Presidenti serb shtoi se kishte komunikuar me familjen e Mlladiç dhe se vendimi për mënyrën e organizimit të ceremonisë i takon familjes.

“Kam bërë gjithçka të nevojshme dhe të mundshme që kjo të zhvillohet në mënyrë dinjitoze, serioze dhe të përgjegjshme nga ana e shtetit. Kaq mund t’ju them”, u shpreh Vuçiç.

Mlladiçi, ish-gjeneral i Ushtrisë Popullore Jugosllave dhe ish-shef i Shtabit të Ushtrisë së Republika Srpska, vdiq në moshën 84-vjeçare në njësinë e paraburgimit të OKB-së në Hagë. Ai u arrestua nga forcat serbe të sigurisë në vitin 2011 dhe në vitin 2017 u dënua me burgim të përjetshëm.

Gjykata e shpalli përgjegjës për gjenocidin e Srebrenicës në vitin 1995, ku u vranë rreth 8 mijë burra dhe djem boshnjakë, si dhe për krime kundër njerëzimit. Mlladiçi gjithashtu drejtoi rrethimin katërvjeçar të Sarajevës, gjatë të cilit u vranë shumë civilë.

Pas lajmit për vdekjen e tij, në disa qytete të Serbisë u zhvilluan tubime dhe aktivitete përkujtimore nga qarqe nacionaliste. Në Novi Sad, mbështetësit mbanin fotografi të Mlladiçit dhe ndezën flakadanë, ndërsa tifozë të Crvena Zvezdës në një ndeshje të Europa League brohoritën emrin e tij dhe shpalosën një banderolë në nderim të tij.

Nderimet shtetërore të paralajmëruara për funeralin kanë shkaktuar kritika nga opozita proevropiane dhe organizatat e të drejtave të njeriut në Serbi.

Trending