Një 25-vjeçar, i cili sipas mediave italiane dyshohet se është shqiptar, mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele pranë Torinos. I riu dyshohet se kishte hyrë së bashku me të paktën pesë persona të tjerë në pronën e një 35-vjeçari, me qëllim për ta grabitur.
Ngjarja ndodhi rreth orës 02:00 në Baldissero d’Alba, një qytezë në provincën e Cuneos. Sipas rindërtimit paraprak të autoriteteve, pronari ndodhej i vetëm në banesën e tij, e cila ishte në rikonstruksion, kur dëgjoi zhurma që vinin nga oborri.
35-vjeçari dyshohet se u përball me një grup prej të paktën pesë personash. Ai mori një pistoletë gjysmëautomatike, të cilën e mbante me leje dhe qëlloi disa herë në drejtim të tyre.
Një prej plumbave goditi për vdekje 25-vjeçarin, ndërsa personat e tjerë arritën të largoheshin nga vendngjarja.
Menjëherë pas të shtënave, ishte vetë pronari që telefonoi karabinierët dhe kërkoi ndërhyrjen e tyre. Në vendngjarje mbërritën edhe ekipet e emergjencës, por pavarësisht ndërhyrjes, i riu nuk mundi të mbijetonte.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, viktima është një 25-vjeçar me origjinë nga Europa Lindore, i cili dyshohet se është shqiptar dhe banonte në provincën e Torinos.
Nga hetimet paraprake dyshohet se objektiv i grupit mund të kenë qenë materialet e ndërtimit që ndodheshin në oborrin e pronës. Banesa ku ndodhi ngjarja raportohet se nuk kishte gardh apo portë.
Arma e përdorur nga 35-vjeçari rezulton e regjistruar ligjërisht. Prokuroria italiane ka nisur hetimet ndaj tij për veprën penale të vrasjes, ndërsa po punohet për të përcaktuar dinamikën e plotë dhe rrethanat në të cilat ndodhi ngjarja.











