Trendy

Kryeministri kroat: Kujdes me anëtarësimin e Serbisë në BE

Para 2 javë

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviç, ka bërë thirrje për kujdes në procesin e anëtarësimit të Serbisë në Bashkimin Evropian, duke theksuar se të gjitha vendet kandidate duhet t’u nënshtrohen të njëjtave kritere.

Në një intervistë me gazetarin Federico Fubini, Plenkoviç tha se klima politike brenda Këshillit Evropian për zgjerimin ka ndryshuar dhe se vendet anëtare e kuptojnë tashmë nevojën për të vepruar.

“Për zgjerimin, qëndrimi në Këshillin Evropian ka ndryshuar: e kuptojmë se duhet të veprojmë. Fqinjët tanë, Moldavia, Gjeorgjia dhe Ukraina, janë përfshirë sërish në dinamikën e zgjerimit për shkak të agresionit rus. Kjo ndodh pjesërisht për solidaritet dhe pjesërisht në përpjekje për të sjellë stabilitet”, tha kryeministri kroat.

Megjithatë, Plenkoviç kërkoi që procesi të zbatohet pa favorizime.

“Të gjithë duhet të trajtohen njësoj, pa favorizime. Kush qëndron në dy karrige nuk duhet të ketë vend”, deklaroi ai, duke iu referuar politikës së Serbisë mes Bashkimit Evropian dhe Rusisë.

Plenkoviç përmendi gjithashtu nderimet që, sipas tij, iu bënë Ratko Mladiçit në Serbi dhe iu referua krimeve të kryera gjatë luftërave në ish-Jugosllavi.

Trending