Trendy

Kryetari i komunës së Butelit mbron drejtoreshën e shkollës “Penko” për mbylljen e paraleles shqipe

Para 1 orë

Kryetari i komunës së Butelit, Darko Kostovski konfirmon se riorganizimi i klasave në shkollat e kësaj komune, ku përfshihet edhe mbyllja e paraleles më mësim në gjuhën shqipe në shkollën fillore “Petar Zdravkovski- Penko” është miratuar në Këshillin Komunal shumë më herët. Madje Kostovski thotë se vendimi nuk është kontestuar nga asnjë parti politike në Këshill. Kostovski i del në mbrojtje drejtoreshës së shkollës “Penko”, Mevlide Elezi Kryeziu. Ai është i prerë në qëndrimin se në Penko, por dhe në shkollat e tjera në territorin e Komunës së Butelit nuk do të pranohen nxënës nga komuna të tjera, përkatësisht nga komuna e Çairit.

“Ky vendim është miratuar në Këshill. Është votuar nga të gjitha partitë politike dhe nga ajo sa mbaj mend, askush nuk ishte kundër. E tani njëra nga ato parti politike bën problem. Vendimi vjen nga Këshilli por në kuadër të ligjit për arsim fillor. Shoh se drejtoresha personalisht po sulmohet, drejtoresha thjeshtë e zbaton ligjin asgjë më tepër nga kjo. Pra vendimi vjen nga Këshilli ndërsa ne si komunë jemi të obliguar ta zbatojmë këtë”, deklaroi Darko Kostovski – Kryetar i Butelit.

Kostovski madje thekson se zvogëlimi i paraleleve është pasojë e regjistrimit të më pak fëmijëve.

“Askush nuk ulë numrin e paraleleve sepse e ka për qejfi. Thjeshtë po ulet numri i nxënësve në këtë rast kemi 63 nxënës që janë pranuar nga komuna e Butelit si nxënës të klasës së parë dhe do të vendosen në një klasë rreth 15-16 nxënës në katër klasa. Ne mundeshim ti vendosim edhe në tre klasa nga 20 nxënës por kishim kujdes që të mos etnizohet tema dhe thash le të jenë sivjet katër klasa. Deri vitin e kaluar kishim klasa me nga 35 nxënës e tani u pengojnë klasa me nga 20 nxënës. Nxënësit nga Çairi nuk janë refuzuar sepse kjo fjalë është e ashpër, thjeshtë nuk ua lejon ligji”, theksoi Darko Kostovski – Kryetar i Butelit.

Në shkollën fillore Penko jo zyrtarisht nuk janë pranuar rreth 40 fëmijë nga komuna e Çairit, edhe pse vendbanimi i tyre është vetëm dhjetëra metra larg objektit shkollor. Drejtoresha e shkollës Mevlide Kryeziu, edhe pas shumë thirrjeve tona, nuk ka marrë guximin të sqarohet publikisht rreth situatës së krijuar. Në këtë shkollë, përderisa nxënësit shqiptarë kanë mësuar në paralele me nga 35 nxënës, paralelet në gjuhën maqedonase funksionojnë me nga dy, katër, shtatë ose dymbëdhjetë nxënës. Këtë e konfirmojnë edhe vet mësimdhënësit e kësaj shkolle./Alsat.mk.

Trending