Shkruan: Prof. Dr. sc. Jeton Shasivari
Lexova një shkrim ku ndryshimet ligjore në Provimin e Jurisprudencës përshkruhen si “gjysmë-zgjidhje” dhe “pothuajse drejtësi”. E lexova me kujdes, jo vetëm si profesor universitar i drejtësisë, por edhe si anëtar i grupit ndërsektorial të punës që për muaj të tërë ka punuar pikërisht për këtë reformë.
Dhe pikërisht për këtë ndihem i detyruar të them se ka raste kur kritika nuk është mbrojtje e parimeve, por refuzim për të pranuar realitetin.
Për herë të parë në 58 vjet ekzistencë të këtij provimi (që nga v. 1968), pjesa dominante e tij do të zhvillohet në gjuhën shqipe. Kjo nuk është simbolikë. Nuk është dekor. Nuk është një paragraf shtesë në një ligj. Është ndryshimi më domethënës strukturor që ka njohur ndonjëherë ky provim.
Dhe megjithatë, dikush gjen forcë ta quajë këtë “gjysmë-zgjidhje”.
Nuk mund të harrohet një detaj me peshë. Para katër muajve, një nga këto zëra më ishte shprehur: “A je vërtet i bindur se ky provim mund të jepet në shqip kur sistemi i drejtësisë funksionon 100% në maqedonisht?”
Pyetja nuk ishte teknike. Ishte filozofi mosbesimi.
Ishte bindje se shqipja nuk mund të arrijë aty ku për 58 vite me radhë është mbajtur larg.
Ishte skepticizëm klasik që e kemi dëgjuar sa herë që shqiptarët kanë kërkuar një të drejtë të barabartë: “nuk bëhet”, “nuk është koha”, “sistemi nuk e lejon”, “realiteti është ndryshe”.
Sot, kur ndryshimi do të procesohet në procedurë ligjvënëse i njëjti skepticizëm transformohet në përbuzje.
Nga “nuk bëhet” te “nuk mjafton”.
Nga “është e pamundur” te “është vetëm gjysmë-zgjidhje”.
Kjo nuk është analizë objektive juridike.
Kjo është refuzim për ta pranuar realitetin se një padrejtësi historike përfundimisht po korrigjohet.
Askush nuk pretendon se çdo problem i sistemit të drejtësisë është zgjidhur. Askush nuk pretendon se përdorimi i gjuhëve në institucione është perfekt. Askush nuk pretendon se beteja për barazi ka përfunduar.
Por ekziston një dallim i madh midis kërkimit të përmirësimeve të mëtejshme dhe mohimit të një arritjeje historike.
Kur pjesa dominante e këtij provimi do të jetë në shqip, nuk flasim më për kozmetikë. Flasim për substancë.
Kur një gjeneratë e tërë kandidatësh shqiptarë nuk do të përballet më me pengesat që kanë përjetuar paraardhësit e tyre, nuk flasim më për premtime. Flasim për rezultate.
Kur një problem i pazgjidhur për gati gjashtë dekada merr zgjidhjen më të madhe që ka njohur ndonjëherë, nuk flasim për “pothuajse drejtësi”. Flasim për drejtësi që më në fund po merr formën konkrete ligjore.
Është e çuditshme se si dikush për vite të tëra heshti kur kampi i preferuar politik me retorikën politike: “Një Shoqëri për të Gjithë” ishte në pushtet dhe asgjë nuk ndryshoi rreth këtij provimi, ndërsa sot gjen energji të jashtëzakonshme për të minimizuar ndryshimet që do të ndodhin.
Dhe është edhe më e çuditshme se si një reformë nuk matet për nga përmbajtja e saj, por për nga fakti se cili pushtet politik e realizon atë.
Historia politike e Maqedonisë na ka mësuar se çdoherë ka prej atyre që nuk e kanë problem mungesën e rezultateve; ata e kanë problem rezultatin kur nuk vjen nga kampi i tyre i preferuar politik.
Tani që ndryshimi konkret dhe strukturor është në proces, zhvendosen objektivat.
Prandaj, debati sot nuk është vetëm për provimin e jurisprudencës.
Debati është mes atyre që besojnë se çdo hap përpara duhet pranuar dhe avancuar më tej, dhe atyre që çdo hap përpara përpiqen ta përbuzin derisa të duket i parëndësishëm.
Në fund, juristët dhe qytetarët shqiptarë do të gjykojnë vetë: ata do të shohin se kush punoi për ta bërë ndryshimin dhe kush po mundohet t’i bindë se ndryshimi nuk ka ndodhur.
Ata do të shohin se kush e konsideronte të pamundur provimin në shqip dhe kush e bëri realitet.
Dhe ndoshta mësimi më i madh nga kjo histori është ky: ka prej atyre që kur përballen me ndryshimin më domethënës strukturor që ka njohur ndonjëherë ky provim që dikur e konsideronin të paarritshëm, nuk ndryshojnë mendim. Ata thjesht ndryshojnë fjalorin.
Dje thoshin “a vërtet je i bindur se provimi mund të jepet në shqip”.
Sot thonë “gjysmë-zgjidhje që nuk mjafton”.
Ndërsa nesër, kur kjo reformë do të jetë realitet i pakthyeshëm institucional, historia do të mbajë mend jo skepticizmin e tyre, por faktin se shqipja më në fund do e zë vendin që e meriton.
Problemi nuk është te provimi në shqip, por tek ata që nuk besuan kurrë se mund të bëhej.
(Autori është profesor universitar i së drejtës kushtetuese në UEJL)










