Ambasadorja e Izraelit në Kosovë, Tamar Ziv, ka deklaruar se Kosova ishte shteti i parë në rajonin e Ballkanit që reagoi publikisht dhe mbështeti vendimin e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit për goditjen e objekteve bërthamore në Iran.
Në një intervistë për Kanal10, Ziv theksoi se kryeministri Albin Kurti ka qenë lideri i parë në rajon që reagoi menjëherë pas veprimeve ushtarake amerikane, duke u rreshtuar qartësisht krah SHBA-së, Bashkimit Evropian dhe – siç nënvizon ajo – edhe Izraelit, në përpjekjen për të ndaluar kërcënimin bërthamor që vjen nga regjimi iranian.
“Kosova, më saktë Kryeministri Kurti, ishte lideri i parë ballkanik që reagoi pas veprimit amerikan kundër tre objekteve bërthamore. Ai mbështeti plotësisht SHBA-të dhe Evropën kundër një Irani bërthamor, dhe me këtë – natyrisht – edhe Izraelin,” deklaroi Ziv.
Ambasadorja theksoi gjithashtu se kërcënimi nuk vjen vetëm për Izraelin, por edhe për vende të tjera të botës, dhe prandaj mbështetja e Kosovës për këtë aksion ushtarak ka rëndësi simbolike dhe strategjike.
Deklarata e ambasadores Ziv përforcon pozicionin e Kosovës si një aleat i besueshëm i Perëndimit, në një moment kur zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndikojnë dinamikat globale të sigurisë. Reagimi i menjëhershëm i kryeministrit Kurti u pa si një veprim i guximshëm diplomatik, në kontrast me qëndrimin neutral apo të heshtur të shumicës së liderëve ballkanikë.





