Trendy

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e zëvendëskryeministrit Arben Fetai

Para 8 minuta

Kuvendi në kuadër të seancës së sotme të 104-të ka konstatuar dorëheqjen e zëvendëskryeministrit për qeverisje të mirë, Arben Fetai. Zëvendëskryeministri Fetai paraqiti dorëheqjen më 1 qershor të cilën e bëri të ditur nëpërmjet rrjeteve sociale. Fetai tha në postimin në Fejsbuk se largohet nga pozicioni me kokën lart dhe me ndërgjegje të pastër.

“Ky është një vendim i mirëmenduar, i marrë me bindjen se në rrethanat aktuale kjo është gjëja më e drejtë dhe më dinjitoze. Gjatë këtyre dy viteve kam pasur nderin dhe privilegjin t’i shërbej vendit, duke kontribuar në reforma që synojnë forcimin e llogaridhënies, transparencës dhe shtetit të së drejtës, një mision sa i rëndësishëm aq edhe jofalenderues. A jam plotësisht i kënaqur me atë që kemi arritur? Sigurisht që jo. Gjithmonë ka hapësirë për më shumë, për më mirë dhe për më shpejt. Por a kam punuar me përkushtimin maksimal për të vendosur themele të shëndosha mbi të cilat mund të ndërtohet më tej? Pa asnjë mëdyshje, po”, shkroi Fetai.

Në seancën e sotme, Kuvendi përcaktoi nevojën për miratimin e disa ndryshimeve dhe plotësimeve ligjore përmes procedurës së shkurtuar, duke përfshirë ligjet për menaxhimin e pronës së konfiskuar, komunikimet elektronike, gjykatat, Këshillin gjyqësor të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zonat zhvillimore teknologjike dhe industriale, zonat e gjelbra industriale, efikasitetin energjetik, pyjet, tokën bujqësore, ndërtimin dhe planifikimin urban.

Trending