Trendy

Lamtumira e fundit për Diogo Jotën: Emrat më të mëdhenj të futbollit të pranishëm në ceremoninë mortore

Para 10 muaj

Një trishtim i thellë ka përfshirë qytetin Gondomar të Portugalisë, ku mijëra njerëz janë mbledhur sot për t’i dhënë lamtumirën e fundit Diogo Jotës, yllit të Liverpoolit dhe kombëtares portugeze, i cili humbi jetën së bashku me vëllain e tij, Andre Silva, në një aksident tragjik automobilistik.

Ceremonia mortore u mbajt në Kishën Parokiale të Gondomarit, ku arkivolet e dy vëllezërve ishin vendosur më herët në një kapelë pranë kishës. Rreth orës 10:00 të mëngjesit, trupat u dërguan me nderime drejt hyrjes kryesore të kishës, ndërsa vetëm familjarët dhe miqtë më të afërt u lejuan brenda. Ceremonia u transmetua me zë jashtë për publikun e shumtë që kishte ardhur për t’i bërë nderimet e fundit idhullit të tyre.

Atmosfera ishte e rëndë, por njëkohësisht prekëse. Mijëra tifozë, të veshur me fanella të Liverpoolit, Wolves-it dhe kombëtares portugeze, kishin ardhur për të nderuar kujtimin e Jotës dhe të vëllait të tij.

Në mesin e të pranishmëve ishin figura të njohura të futbollit botëror. Ruben Dias, mbrojtës i Manchester Cityt dhe bashkëlojtar i Jotës në kombëtare, mbërriti i veshur i tëri në të zeza, me një buqetë me trëndafila të bardhë në dorë. Po ashtu, Nelson Semedo, ish-shok skuadre i Jotës te Wolves dhe Portugalia, mori pjesë në ceremoni.

Bernardo Silva, kapiteni i Cityt dhe mik i afërt i Jotës, si dhe ish-lojtarët e Liverpoolit Fabinho dhe Thiago Alcantara, ishin gjithashtu prezent për të nderuar kujtimin e tij.

Në kishë mbërriti edhe një delegacion zyrtar nga Liverpool, duke mbajtur dy kurora lulesh në formë fanellash, me numrat 20 dhe 30 – përkatësisht për Diogon dhe Andrein. Turma e jashtme shpërtheu në duartrokitje emocionale teksa delegacioni kalonte në heshtje drejt kishës.

Agjenti i njohur Jorge Mendes ishte gjithashtu mes pjesëmarrësve, duke shprehur respektin e tij për një nga talentet më të mëdhenj të futbollit portuguez të dekadës së fundit.

Dje, gjatë homazheve, mijëra qytetarë vendosën lule dhe objekte përkujtimore pranë kapelës ku ndodhej trupi i Jotës, dëshmi e dashurisë dhe respektit të jashtëzakonshëm që ai gëzonte jo vetëm si sportist, por edhe si njeri.

Ceremonia e sotme shënon një ditë zie për sportin, për kombin dhe për gjithë ata që e njohën Diogo Jotën – një futbollist i talentuar, por mbi të gjitha një shpirt i ndritur që do të mbetet në kujtesën e të gjithëve.

Trending