Trendy

Latifi: Interkoneksioni 400 kV me Shqipërinë po bëhet realitet, nënstacioni në Ohër në fazën përfundimtare

Para 7 orë

Drejtori i MEPSO-s, Burim Latifi, ka njoftuar se projekti strategjik për ndërtimin e interkoneksionit 400 kV ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë po avancon sipas planit, ndërsa nënstacioni 400 kV në Ohër ka hyrë në fazën përfundimtare të realizimit, përcjell Zyrtare.net

Sipas Latifit, gjatë një inspektimi në terren së bashku me ekipin e MEPSO-s, është konstatuar se pas përfundimit të instalimit të pajisjeve primare dhe sekondare në nënstacionin e Ohrit, kanë nisur testimet operative dhe funksionale, të cilat përbëjnë fazën e fundit para vënies në funksion.

Ai bëri të ditur se po ecin me ritëm edhe punimet në linjën e transmetimit 400 kV Manastir–Elbasan, ku tashmë ka nisur montimi i shtyllave të para, disa prej të cilave janë ngritur, ndërsa puna vazhdon edhe në pjesët e tjera të trasesë.

Latifi theksoi se realizimi i këtij projekti do të krijojë një lidhje të re strategjike energjetike ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, duke forcuar sigurinë e rrjetit të transmetimit, rritur kapacitetet ndërkufitare dhe kontribuar në integrimin më të fuqishëm të tregut rajonal të energjisë.

“Vazhdojmë me përgjegjësi dhe përkushtim në ndërtimin e një sistemi energjetik modern, të besueshëm dhe të ndërlidhur mes Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë”, ka shkruar Latifi.

Trending