Trendy

Letër e hapur për BFI-në dhe Këshillin Organizativ të Haxhit në Maqedoni: Haxhiu nga Nerashti ngre shqetësime për kushtet e akomodimit në Mekë

Para 2 orë

Një haxhiler nga Nerashti i Tetovës, Nakil Abdiu, i është drejtuar me një letër të hapur Bashkësisë Fetare Islame (BFI) dhe Këshillit Organizativ të Haxhit në RMV, duke shprehur pakënaqësi lidhur me kushtet e akomodimit gjatë qëndrimit në Mekë, përcjell tetova1

Në letrën e tij, Abdiu thekson se organizimi i riteve fetare dhe angazhimi i udhëheqësve të grupeve kanë qenë në nivel të kënaqshëm, por vëren se kushtet në hotelin ku janë akomoduar haxhilerët kanë qenë larg standardeve të pritshme.

Sipas tij, dhomat kanë qenë të mbingarkuara, me hapësira të kufizuara dhe kushte të dobëta higjienike, ndërsa shërbimet bazë si furnizimi me ujë, peshqirë dhe materiale higjienike shpesh janë siguruar vetëm pas pagesave shtesë. Ai gjithashtu ngre shqetësimin për mungesën e kontrollit ndaj pirjes së duhanit brenda hotelit, gjë që sipas tij ka ndikuar negativisht në shëndetin e shumë haxhilerëve.

Në të njëjtën kohë, ai vlerëson punën e stafit mjekësor, të cilët, sipas tij, kanë qenë të përkushtuar 24 orë në kujdesin ndaj besimtarëve, si dhe kushtet shumë më të mira të akomodimit në Medinë.

Abdiu thekson se qëllimi i letrës nuk është gjetja e fajtorëve, por ofrimi i një kritike konstruktive për përmirësimin e organizimit të Haxhit në të ardhmen.

Më poshtë gjeni letrën e plotë:

“Letër e hapur drejtuar BFI-së dhe Këshillit Organizativ të Haxhit në RMV

I nderuar Kryetar i BFI-së,
Të nderuar anëtarë të Këshillit Organizativ të Haxhit në RMV,

Së pari, ju përshëndes dhe u uroj të gjithë haxhilerëve haxh të pranuar dhe lutje të pranuara nga Allahu i Plotfuqishëm.
Unë jam një bashkëatdhetar nga Nerashti i Tetovës. Përmes kësaj letre, dëshiroj të paraqes disa pikëpamje dhe vërejtje lidhur me udhëtimin në vendet e shenjta për përmbushjen e obligimit ndaj Allahut — kryerjen e Haxhit, që është një nga pesë shtyllat e Islamit.

Sa i përket Haxhit si kornizë, çdo gjë ka qenë në rregull. Të gjitha ritet fetare i kemi kryer në mënyrën më të mirë të mundshme. Të gjithë udhëheqësit e grupeve kanë dhënë maksimumin e tyre që ne të kryejmë çdo rit fetar në kohën dhe në mënyrën e duhur.

Megjithatë, ajo që dëshiroj të potencoj me shqetësim në këtë letër është AKOMODIMI ynë në hotelin e Mekës. Në këtë pikë, më duket se Këshilli Organizativ nuk ka qenë i kujdesshëm sa duhet. Nuk e di se mbi çfarë kriteresh përzgjidhet një hotel nga ana e Këshillit dhe nëse ky personel ka njohuri mbi turizmin dhe menaxhimin e hoteleve, apo të gjithë janë thjesht teologë.

Hoteli ku na vendosën, fillimisht nuk ishte i përshtatshëm për numrin e mysafirëve. Dhomat që ishin të planifikuara për tre persona, ishin kthyer në dhomat katërshe dhe pesëshe. Hapësira ishte aq e kufizuar dhe krevatët ishin vendosur aq afër, saqë njëri prej nesh detyrohej të flinte me këmbët e tjetrit afër fytyrës. Dhomat ishin jashtëzakonisht të vogla, shumë të papastra, ndërsa banjot ishin të ngushta dhe me higjienë zero.

Duke u bazuar në parimet e Islamit, ku pastërtia konsiderohet gjysma e imanit (besimit), ky kusht në këtë hotel nuk u plotësua aspak. Shumica e stafit të pastrimit ishin shumë të rinj në moshë, thuajse fëmijë, të cilët më shumë bënin pis sesa pastronin. Na u desh t’i paguanim personalisht çdo ditë që të na sillnin ujë, letër higjienike apo peshqirë — shërbime këto që duhej të kryheshin automatikisht nga hoteli. Çarçafët na i ndërruan vetëm në ditën e 11-të, edhe atë pasi u dhamë nga 10 SAR (riajë sauditë) bakshish.

Toaletet në lobi, pranë xhamisë së hotelit dhe te restoranti ishin tmerrësisht të papastra. Ishte fat i madh nëse gjeje sapun apo letër për duar, ndërsa letër higjienike nuk kishte asnjëherë.

Një tjetër problem i pakuptueshëm ishte pirja e duhanit brenda hotelit. Në lobi ishte e pamundur të qëndrohej nga tymi. Duhan pihej madje edhe përpara ambulancës (ordinancës) së mjekut, duke bërë që edhe ajo hapësirë të mbushej plot tym. Si pasojë e kësaj dyndjeje, mungesës së ajrimit dhe temperaturave të papërshtatshme nga kondicionerët e hotelit, pothuajse të gjithë haxhilerët u sëmurëm.

Në këtë situatë, stafi mjekësor ishin heronjtë tanë të vërtetë. Ata punuan 24 orë pa ndërprerje për t’u kujdesur për shëndetin tonë.

Krejt ndryshe nga Meka, akomodimi në Medinë ishte i shkëlqyer. Hoteli ishte shumë më i mirë dhe stafi ishte i mrekullueshëm.

Me këtë letër nuk po kërkoj fajtorë dhe as nuk dua thjesht të kritikoj dikë pa arsye. Shpresoj që kjo të merret si një kritikë konstruktive për të përmirësuar kushtet e haxhilerëve në vitet e ardhshme. Nëse sigurimi i kushteve më të mira kushton më shumë, atëherë më mirë të reduktohen ditët e qëndrimit në Mekë, ose të ofrohen paketa të ndryshme që besimtarët të zgjedhin vetë nivelin e akomodimit që dëshirojnë.

Në rastin tim personal, kur u regjistrova në vitin 2024, më ishte premtuar dhomë më vete me bashkëshorten, gjë që nuk u realizua. Arsyet se pse ndodhi kjo, i dinë vetëm organizatorët.

Me respekt dhe me shpresë që kjo letër të mirëkuptohet”, ka përfunduar Nakil Abdiu nga Nerashti./tetova1.mk

Trending