Sot, e premte më 1 gusht 2025, në mbledhjen e Komisionit Qeveritar, është miratuar Propozim-Vendimi për themelimin e shkollës fillore komunale “Azem Marana” në fshatin Moranë, Komuna e Studeniçanit, si një subjekt i veçantë shkollor.
Lajmin e ka bërë të ditur zëvendësministri i Arsimit dhe Shkencës, Lulzim Aliu, i cili theksoi rëndësinë e këtij vendimi për zhvillimin arsimor të komunitetit lokal dhe për përforcimin e identitetit arsimor shqiptar në këtë rajon.
“Uroj që ky vendim të kontribuojë në rritjen e cilësisë dhe sukseseve të nxënësve që do të ndjekin mësimet në këtë shkollë, e të bëjnë krenar veten e tyre, prindërit dhe çdo shqiptar e qytetar, ashtu siç krenohemi me figurën e patriotit dhe atdhetarit ‘Azem Marana’”, deklaroi Aliu.
Themelimi i kësaj shkolle mban emrin e një figure të shquar të historisë kombëtare dhe përfaqëson një hap konkret drejt zgjerimit të infrastrukturës arsimore dhe forcimit të arsimit shqip në zonat rurale.





