Të enjten Qeveria dhe punëdhënësit nuk e pranuan kërkesën për një pagë minimale prej 500 eurosh në Këshillin Ekonomik dhe Social nga ana e Lidhjes së Sindikatave. Arsyetimi qeveritar ishte se për një rritje të tillë duhet të rritet produktiviteti i punëtorëve. Pra mbetet vlera e pagës minimale në Maqedoni prej afër 400 euro apo 24.400 denarë. Paga minimale në Maqedoninë e Veriut llogaritet sipas një metodologjie për të cilën qeveria e mëparshme, sindikatat dhe punëdhënësit janë pajtuar në shkurt të vitit 2022. Si risi u vendos edhe kushti që paga minimale të mos jetë më e ulët se 57 për qind e pagës mesatare në vend të publikuar nga Enti Shtetëror i Statistikave. Pagën minimale e marrin mbi 35 mijë punonjës, përderisa ajo ndikon edhe në rritjen e pagave të tjera. Sipas ligjit, paga minimale propozohet nga Ministria e Ekonomisë dhe e Punës me pëlqimin paraprak të Këshillit Ekonomik dhe Social. Pas një bisede joformale në pranverë me përfaqësuesit e qeverisë, u bë e qartë se nuk mund të pritet mbështetje nga ata për rritjen e pagave në favor të subvencionimit të kontributeve sociale, thonë nga Konfederata e Biznesit. Sipas tyre, do të ishte më e përshtatshme që punëtorët në secilin sektor të organizohen dhe të negociojnë kolektivisht për rritjen e pagave për të gjithë punëtorët.
Deklaratat nga ekzekutivi nuk kanë qenë në favor të subvencionimit të pagës minimale, përtej rritjes së rregullt prej 24 mijë denarë me arsyetimin se – për këtë nuk ka para në arkën e shtetit, ndërsa qëndrimi ka qenë se ato pajtohen me shumën që do të dakordojnë punëdhënësit dhe sindikatat. Andaj, tavani fillimisht prej 27 dhe më vonë prej 30 mijë denarë, si duket do të presë ndonjë moment më të volitshëm ekonomik.
Gjithashtu Banka Botërore sugjeron se 6 vendet e Ballkanit Perëndimor mund të rrisin perspektivat e tyre duke përshpejtuar zbatimin e reformave strukturore. Vendet vazhdojnë të përballen me sfida të konsiderueshme, të tilla si pjesëmarrja e ulët në tregun e punës, nivelet e larta të informalitetit dhe rritja e ngadaltë e produktivitetit. Këto çështje pengojnë progresin ekonomik dhe kufizojnë potencialin për zhvillim të qëndrueshëm. Zhvillimi i sektorit privat vendas është thelbësor për gjenerimin e mundësive të punësimit dhe nxitjen e inovacionit, të çilat janë thelbësore për rritjen afatgjatë.Pavarësisht progresit në uljen e papunësisë gjatë dekadës së fundit, rajoni ende përballet me sfida të rëndësishme strukturore. Punësimi i të rinjve mbetet një shqetësim kritik, me një shkallë mesatare papunësie prej 25%, ndërsa pjesëmarrja e femrave në fuqinë punëtore është vetëm 45%, krahasuar me 64.2% për meshkujt. Inaktiviteti arrin mesatarisht 45.4% të popullsisë në moshë pune.
Shkallët e larta të informalitetit dhe emigrimi i jashtë i punëtorëve të kualifikuar kufizojnë më tej perspektivat e rritjes. Rritja e rreziqeve nga moti, siç janë nxehtësia ekstreme, thatësira, përmbytjet dhe ndryshimi i modeleve të reshjeve zvogëlojnë më tej produktivitetin e punonjësve, rrisin rreziqet e shëndetit në punë, dëmtojnë asetet prodhuese dhe prishin sektorët kryesorë ekonomikë që varen nga kushtet e qëndrueshme të motit, siç janë bujqësia, ndërtimi dhe turizmi.
Në shtetet e rajonit, paga minimale në Shqipëri është detyrimi ligjor i punëdhënësve për të paguar punonjësit e tyre. Nga 1 janari 2025 paga minimale mujore është 40.000 lekë apo 406 euro. Nga 22 mijë lekë që ishte në vitin 2014, paga minimale është rritur 7 herë kryesisht në vlera midis 2 mijë deri në 6 mijë lekë, për të arritur në 40 mijë lekë në mesin e 2023-shit. Nga 1 janari 2026 paga minimale pritet të rritet në 50 mijë lekë apo 513 euro. Më 23 gusht 2024 është publikuar në Gazetën Zyrtare Ligji për Pagën Minimale në Kosovë. Nga kjo datë e tutje, Kosova ka pagën minimale me shumë 264 euro në muaj, nga 170 që kishte më parë. Në anën tjetër, Kosova qëndron me pagën më të ulët në rajon e Ballkanit Perëndimor dhe me shtetet e Bashkimit Evropian.
Në seancën e qeverisë së Kroacisë, në tetor 2024, u mor vendimi për rritjen e pagës minimale bruto. Nga fillimi i vitit 2025, paga minimale bruto është 970 euro, që është afërsisht pak më shumë se 750 euro neto. Sllovenia kryeson midis vendeve të ish-Jugosllavisë me një pagë minimale bruto prej 1278 eurosh që nga janari 2025, ndërsa paga neto është midis 900 dhe 930 euro. Nga tetori i këtij viti, paga minimale në Serbi do të arrijë afërsisht 500 euro, u vendos në takimin e fundit të Këshillit social dhe ekonomik. Plani i qeverisë së Serbisë është që me rritjet e ardhshme, paga minimale të arrijë në 650 euro në fillim të vitit 2028. Qeveria e Federatës së Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur që paga minimale në vitin 2025 të jetë 1,000 marka të konvertueshme, që është rreth 511 euro. në Republikën Serbe, është pak më e ulët, apo 460 eurosh. Mali i zi paguan një pagë minimale prej 450 eurosh që nga janari i vitit 2025.
PUNËDHËNËSIT DHE PAGA MINIMALE
Nga ana tjetër, pronarët e bizneseve janë përgjithësisht kundër zgjidhjeve të imponuara, të nxituara dhe universale. Sipas tyre, problemi është kompleks, por shumë larg asaj që sindikatat po përpiqen të paraqesin në krahasim me vendet e tjera.
“Qëndrimi ynë ka qenë i njëjtë që kur u miratua ligji për pagën minimale. Rritja e pagës minimale në përputhje me rritjen e pagës mesatare është plotësisht e kënaqshme dhe më shumë se direktiva e BE-së. Dhe është shumë e pavlerë të krahasosh pagën minimale nominalisht midis vendeve, pa e parë atë në terma të pagës mesatare ose në terma të produktit të brendshëm bruto. Natyrisht, sindikatat kanë arritur ta ngrenë atë kategori ekonomike në një nivel kaq të lartë sikur të ishte një pagë për një punëtor normal, gjë që nuk është e vërtetë. Paga minimale paguhet nga njerëzit më pak të arsimuar, me përgjegjësitë më të ulëta dhe kreativitetin më të ulët, dhe këta janë njerëz që janë shumë pak në kompani”, thekson Angel Dimitrov nga Organizata e Punëdhënësve.
Sipas tij, kur flitet për paga, po flasim për njerëz me përgjegjësi më të lartë, poziçione më krijuese që marrin më shumë para. Kjo tregohet edhe nga rritja prej 11% e pagës mesatare, shumë më lart se inflacioni. Pra, pagat po rriten edhe pa rritur pagën minimale. Rritja e pagave, veçanërisht në një shumë të caktuar dhe politikisht, nuk është aspak një zgjidhje ekonomike shton Dimitrov.
SINDIKATAT: KëTO JANë ARSYET PËR RRITJEN NË 500 EURO
Nga Lidhja e Sindikatave të Maqedonisë thonë se ekzistojnë më shumë shkaqe për rritjen e pagës minimale. Në favor të rritjes së saj është edhe fakti se Vlera e shportës minimale sindikale për muajin korrik 2025 është 65.328 denarë, dhe krahasuar me vlerën e shportës minimale sindikale për muajin qershor 2025, e cila është 64.698 denarë, është rritur për 630 denarë. Me një apartament me qira prej 60 metrash katrorë për muajin korrik, arrin në 80.703 denarë.
Vlera e Shportës Minimale Sindikale për ushqim dhe pije, për ato 63 produkte që ndjek Shporta Minimale për korrik 2025, është 23.682,00 denarë krahasuar me qershorin 2025 (23.167,00 denarë), një rritje prej 515.00 denarë.
Nga të dhënat për Shportën Minimale Sindikale, është e qartë se pas përfundimit të masave aktive qeveritare, vlera e shportës minimale sindikale është rritur për 2637 denarë për tre muaj, ose 4.20%, ndërsa ushqimi dhe pijet janë rritur për 2.202,00 denarë për dy muaj, ose 10,25%. Jeta në Maqedoni po bëhet gjithnjë e më e shtrenjtë, dhe pagat janë të pamjaftueshme për të siguruar kushtet më themelore për një jetë dinjitoze, prandaj është e nevojshme një rritje e pagës minimale dhe e të gjitha pagave të tjera thonë nga LSM. Kryetari i Sindikatave të Maqedonisë, Slobodan Trendafilov, shprehu publikisht zhgënjimin e tij me rezultatin e seancës së fundit të Këshillit Ekonomik dhe Social përmes një postimi në Facebook, duke akuzuar institucionet se nuk janë të gatshme të rrisin pagën minimale. “Nuk ka perspektivë për rritje page. Ata nuk po na bindin se një pagë prej 24.400 denarësh ka fuqi blerëse më të madhe se gjysma e Evropës. Ndoshta sepse zyrtarët me paga të rritura prej 79% jetojnë më mirë se gjysma e Evropës”, shkruan Trendafilov.
Ai thotë se punëtorët në Maqedoni morën një përgjigje poshtëruese. “se duhet të jenë të kënaqur me atë që kanë” dhe se “LSM kërkon shumë”. “Midis pagës dhe politikës, ka një rritje prej 79% të pagave zyrtare dhe një rritje prej 0% të pagave të punëtorëve. Kur të arrijmë atë 79%, atëherë do të flasim edhe për politikë – deri atëherë flasim vetëm për paga”, thotë Trendafilov, duke paralajmëruar se LSM do të vazhdojë të luftojë për kushte dinjitoze. (koha.mk)










