Trendy

Mashtrim me identitet në Shkup – 23-vjeçari zbulon kredi të marra në emrin e tij pasi merr njoftim nga përmbaruesi

Para 11 muaj

Një rast i dyshuar mashtrimi financiar është raportuar në SPB Shkup më 26 qershor 2025, rreth orës 11:00, kur një 23-vjeçar nga Shkupi ka njoftuar policinë se të dhënat e tij personale janë keqpërdorur për të marrë kredi në emrin e tij.

Sipas denoncimit, personi i panjohur ka përdorur identitetin e tij për të siguruar dy kredi nga një shoqëri financiare në vitin 2021, pa dijeninë e tij. Rasti është zbuluar më 24 qershor 2025, kur i riu ka pranuar në adresën e tij të banimit një letër nga përmbaruesi, që i kërkonte shlyerjen e një borxhi prej 80.758 denarësh.

Pas marrjes së njoftimit, viktima ka kuptuar se bëhej fjalë për kredi të marra në mënyrë të paligjshme dhe ka paraqitur rastin në polici. Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se janë ndërmarrë masa për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e autorit të dyshuar.

Rasti ka ngritur shqetësime për sigurinë e të dhënave personale dhe përdorimin e tyre nga individë të paautorizuar për qëllime mashtruese. Autoritetet u bëjnë thirrje qytetarëve të jenë vigjilentë dhe të raportojnë çdo parregullsi të ngjashme pranë institucioneve përkatëse.

Trending