Trendy

Medreseja “Isa Beu” dhe pyetja që kërkon përgjigje: Ku vazhdon rruga e maturantit?

Para 1 orë

Eksponentë të partisë në pushtet, me shumë pompozitet, deklarojnë publikisht se Medreseja “Isa Beu” është e akredituar. Nëse ky status ekziston, atëherë është krejt e arsyeshme të kërkohet që ai të jetë i dokumentuar, i verifikueshëm dhe i kuptueshëm për nxënësit dhe prindërit. Fjala “akreditim” nuk mund të jetë përgjigje në vetvete. Duhet të dihet se çfarë nënkupton konkretisht ky status dhe çfarë të drejtash u jep maturantëve. Këtu qëndron edhe shqetësimi kryesor. Në faqen zyrtare të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) janë të sistemuara kategori të ndryshme të arsimit të mesëm, me planet dhe programet mësimore, lëndët e obliguara, lëndët e lira zgjedhore, si dhe dokumente të tjera profesionale që lidhen me organizimin dhe realizimin e arsimit. Mirëpo, çuditërisht nuk figuron Medreseja “Isa Beu”. Dhe kjo, ngre një mori çështjesh dhe shqetësimesh…

Nga Muharem XHEZAIRI

Si punëtor i arsimit, mendoj se është e drejtë ta ndaj me opinionin publik një shqetësim që lidhet drejtpërdrejt me të ardhmen arsimore të maturantëve të Medresesë “Isa Beu”. Pyetja, por edhe çështja njëherësh, është e thjeshtë, veçse jashtëzakonisht e rëndësishme: Çfarë ndodh me një maturant të Medresesë “Isa Beu” kur dëshiron të vazhdojë studimet universitare? Kjo pyetje nuk lidhet me fenë, politikën apo me mbështetjen ose kundërshtimin e Medresesë. Lidhet me të drejtën e nxënësit për të ditur, që në momentin e regjistrimit, se cilat janë mundësitë e tij pas përfundimit të shkollës së mesme.

Një nxënës nuk duhet të presë katër vite për të mësuar nëse diploma e tij i mundëson konkurrimin në universitete, në cilat programe mund të aplikojë, cilat janë kriteret dhe nëse kërkohen kushte shtesë. Eksponentë të partisë në pushtet, me shumë pompozitet, deklarojnë publikisht se Medreseja “Isa Beu” është e akredituar. Nëse ky status ekziston, atëherë është krejt e arsyeshme të kërkohet që ai të jetë i dokumentuar, i verifikueshëm dhe i kuptueshëm për nxënësit dhe prindërit. Fjala “akreditim” nuk mund të jetë përgjigje në vetvete. Duhet të dihet se çfarë nënkupton konkretisht ky status dhe çfarë të drejtash u jep maturantëve. Këtu qëndron edhe shqetësimi  kryesor. Nëse maturanti mund të vazhdojë studimet universitare, duhet të dihet qartë ku dhe me çfarë kushtesh. Nëse për disa programe universitare kërkohen kritere shtesë, ato duhet të bëhen të ditura paraprakisht. Nëse ekzistojnë kufizime, ato duhet të shpjegohen qartë.

Nuk kërkohet që maturantët e Medresesë të pranohen në universitete pa përmbushur kriteret. Nuk kërkohet trajtim i veçantë dhe as ulje e standardeve. Kërkohet vetëm ajo që duhet të jetë normale në çdo system arsimor: të dihet nëse maturanti ka të drejtë të aplikojë dhe çfarë duhet të bëjë për ta ushtruar atë të drejtë. Sepse një paqartësi institucionale nuk duhet të bëhet barrë e nxënësit.  Maturanti nuk është përgjegjës për mënyrën se si është organizuar sistemi arsimor. Prindi nuk mund të jetë ai që, pas katër vitesh shkollim, endet nga një institucion te tjetri për të gjetur përgjigjen. Nëse institucionet japin interpretime të ndryshme, përgjegjësia për ta sqaruar situatën u takon atyre, jo maturantit.

Si punëtor i arsimit, shqetësimi im nuk është të vë në pikëpyetje ekzistencën apo misionin e Medresesë “Isa Beu”. Shqetësimi është shumë më konkret: çfarë perspektive arsimore ka një i ri pasi e përfundon këtë shkollë? Kjo përgjigje duhet të ekzistojë para regjistrimit, jo pas maturës; para afateve universitare, jo pasi ato të kenë kaluar. Sepse, pas çdo maturanti qëndron një familje, një investim dhe një e ardhme. Një sistem arsimor që respekton të rinjtë duhet t’u japë atyre jo vetëm mundësinë për t’u arsimuar, por edhe qartësi për rrugën që mund të ndjekin më pas. Prandaj pyetja që duhet t’u drejtohet institucioneve është e drejtpërdrejtë: Nëse Medreseja “Isa Beu” ka status të akredituar, ku është dokumentuar ky status dhe cilat janë, konkretisht, të drejtat e maturantëve për të vazhduar arsimin e lartë? Nëse përgjigjja ekziston, le të bëhet publike. Jo për politikë, por për qartësi, përgjegjësi institucionale dhe, mbi të gjitha, për të ardhmen e të rinjve.

Në faqen zyrtare të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit (BZHA) janë të sistemuara kategori të ndryshme të arsimit të mesëm, ndër të tjera: arsimi i mesëm profesional dyvjeçar, arsimi i mesëm profesional trevjeçar, arsimi i mesëm profesional katërvjeçar, arsimi i mesëm – gjimnaz, gjimnazi matematikë-informatikë dhe Akademia e Sportit. Për këto kategori janë të publikuara planet dhe programet mësimore, lëndët e obliguara, lëndët e lira zgjedhore, si dhe dokumente të tjera profesionale që lidhen me organizimin dhe realizimin e arsimit. Në këtë kontekst lind një pyetje krejt e natyrshme: Nëse Medreseja “Isa Beu” ka status të akredituar dhe funksionon si institucion i arsimit të mesëm, ku është e evidentuar ajo në dokumentacionin zyrtar të BZHA-së?

Ku janë të publikuara plani dhe program mësimor i Medresesë, struktura e lëndëve, lëndët e obliguara dhe lëndët e lira zgjedhore, si dhe dokumentet profesionale që përcaktojnë përmbajtjen dhe mënyrën e realizimit të këtij arsimi? Këto pyetje bëhen edhe më të rëndësishme kur kemi parasysh të ardhmen e maturantëve.

Nëse Medreseja ka status të njohur dhe të akredituar, duhet të jetë e qartë çfarë statusi arsimor ka, cili është program që zbatohet dhe cilat janë të drejtat që u garantohen nxënësve pas përfundimit të tij.Në këtë kuadër lindin edhe pyetje të tjera konkrete: Ai nënshtrohen nxënësit e Medresesë maturës shtetërore, shkollore? Nëse po, sipas cilit program dhe cilave kritere? Cili është plani dhe program mësimor që njihet zyrtarisht për këtë institucion? Dhe, mbi të gjitha, çfarë të drejtash për vazhdimin e arsimit të lartë u jep ky status maturantëve të Medresesë?

Nëse dokumentet dhe statusi ekzistojnë, atëherë është në interes të të gjithëve që ato të jenë të qasshme dhe të verifikueshme në burimet zyrtare. Nëse ekzistojnë specifika të veçanta për Medresenë, ato duhet të jenë të qarta përpara se nxënësi të regjistrohet dhe jo të bëhen objekt interpretimi vetëm pasi ai përfundon arsimin e mesëm. Sepse, për maturantin nuk është e mjaftueshme të dijë se ku e ka përfunduar shkollën. Ai duhet ta dijë edhe se çfarë të drejtash dhe mundësish i jep ajo shkollë për hapin e ardhshëm – vazhdimin e arsimit universitar. Fatkeqësisht, edhe sot, maturantët e kësaj shkolle përballen me të njëjtin problem të vjetër: pamundësinë për t’u regjistruar në universitete. (koha.mk)

Trending