Kryeministri Hristijan Mickoski sot reagoi ndaj disa artikujve të publikuar gjatë ditës së djeshme, për të cilët tha se janë të brifuar nga parti opozitare që, sipas tij, në çdo moment kërkojnë të krijojnë ndasi dhe mjegull në opinion përmes porosive politike të qëllimshme.
Duke folur për shpërblimet për sportistët elitarë në vend, Mickoski theksoi se në sportet individuale, ku sipas tij janë arritur rezultatet më kulminante, shpërndarja etnike e atyre që marrin pension të përhershëm është e balancuar dhe reflekton realitetin e sukseseve sportive.
“47 për qind janë maqedonas, më shumë se 20 për qind janë shqiptarë, ndërsa pjesa tjetër janë nga komunitetet e tjera”, tha Mickoski. Ai shtoi se në këto sporte, shpërndarja është ndryshe nga ajo që disa tentojnë ta paraqesin si padrejtësi etnike. “Këtu ndoshta do të kenë vërejtje opozita tjetër, se pse ka më pak maqedonas. Por në sportet individuale ajo shpërndarje është më ndryshe”, shtoi ai.
Në fund, kryeministri theksoi bindjen e tij se në të ardhmen vendi do të ketë heronj të rinj nga të gjitha etnitë: “Pa dallim nëse janë maqedonas, shqiptarë, turq, serbë, vllehë, romë apo të tjerë.”






