Trendy

Mickoski u garantoi studentëve shqiptarë se do ta zgjidh çështjen e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe

Para 5 orë

Në vigjilje të protestës së nesërme të studentëve shqiptarë lidhur me çështjen e provimit të jurisprudencës, kryeministri Hristijan Mickoski u garantoi studentëve se do të gjejë zgjidhje. Megjithatë, ai u bëri apel studentëve që të mos bëhen vegël në duart e BDI-së, që siç tha ai kishte kohë dy dekada, por nuk e bëri provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

“Unë i garantoj studentët se siç janë gjetur shumë zgjidhje për shumë sfida dhe shumë lëshime nga e kaluara, ashtu edhe për këtë do të gjendet zgjidhje përkatëse. Unë mendoj se atë tanimë e dinë dhe apeli im është që të mos lejojnë të jenë vegël në duart e partisë politike që ende jeton në kujtimet e së kaluarës, gjegjësisht në kohën e shekullit të kaluar”, deklaroiHristijan Mickoski, Kryeministër.

Ndërkohë BDI-ja, ditëve të fundit aktivisht ka mbështetur studentët që artikulonin kërkesën e tyre para Ministrisë së Drejtësisë. Figurat më të larta të partisë së Ali Ahmetit, i kanë dhënë jehonë thirrjes për mbështetje të protestës.

Zëdhënësja e partisë Arta Bilalli Zendeli shkruan se garancitë për të drejtat siç duket vlejnë vetëm për fushatë, ndërsa as fushatës, zëri i tyre nuk dëgjohet. “Sot studentët janë në rrugë për dinjitet. Ata në zyra, pa zë… sa keq!”, shprehet Bilalli Zendeli. Sekretari i përgjithshëm Arbër Ademi thotë se studentët nuk kërkojnë asgjë më shumë se ajo çfarë u takon. “Si profesor i tyre, ndihem keq që studentët që i kemi mësuar dhe i mësojmë për drejtësi dhe ligj, sot duhet të protestojnë për drejtësi dhe për zbatim të ligjit”, shprehet Ademi.

Megjithatë sipas VLEN-it këto reagime janë manipuluese dhe tentim për ta instrumentalizuar çështjen e studentëve që e kanë lënë peng për dy dekada.

“Për këto gati dy vite në opozitë, BDI nuk ka lënë gjë pa keqpërdorur, vetëm e vetëm për të shpëtuar lëkurën e vet politike, madje edhe shqetësimet e studentëve. Sot, pa asnjë kredibilitet moral, përpiqet të instrumentalizojë edhe një çështje që vetë e ka lënë peng. E njëjta parti, me disa ministra të Drejtësisë, sot derdh lot krokodili për një problem që nuk e zgjidhi kur e kishte gjithë pushtetin në dorë. Njëkohësisht, është për t’u habitur se si gjatë 20 viteve pushtet të BDI-së, kur arsimi u nëpërkëmb dhe shumë padrejtësi mbetën pa zgjidhje, nuk u pa as edhe një protestë”, thanë nga VLEN.

• BDI derdh “lot krokodili” për protestën e studentëve për jurisprudencën
• BDI manipulon dhe tenton ta instrumentalizojë protestën

Nga VLEN premtojnë se çështja e dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe theksojnë, do të marrë epilog pozitiv./Alsat.mk.

Trending