Trendy

Ministri Izraelit sfidon SHBA: Izraeli do të veprojë i vetëm kundër Iranit nëse është e nevojshme

Para 2 orë

Ministri i Sigurisë Kombëtare i Izraelit, Itamar Ben-Gvir, ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara janë “shumë naive” nëse besojnë se Irani do të heqë dorë nga programi i tij bërthamor, duke lënë të kuptohet se Izraeli mund të ndërmarrë veprime të njëanshme kundër Teheranit.

Në një intervistë, Ben-Gvir tha se Teherani nuk do të braktisë ambiciet e tij bërthamore apo, sipas tij, synimin për të shkatërruar Izraelin.

“Amerikanët janë shumë naivë nëse mendojnë se iranianët do ta braktisin programin e tyre bërthamor dhe do ta anulojnë atë. Është përgjegjësi e Izraelit të përballet me këtë kërcënim iranian dhe të veprojë kundër tij i vetëm”, u shpreh ai.

Ministri i krahut të djathtë theksoi gjithashtu se në “asnjë rrethanë” Izraeli nuk duhet të veprojë sipas urdhrave të një aleati, edhe nëse ai aleat është Shtetet e Bashkuara.

Deklaratat e Ben-Gvir vijnë në një moment tensionesh mes Uashingtonit dhe Tel Avivit, ndërsa vazhdojnë përpjekjet diplomatike të SHBA-së për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme me Iran.

Mosmarrëveshjet mes dy aleatëve janë bërë më të dukshme edhe për shkak të operacioneve ushtarake izraelite në Liban. Javën e kaluar, zëvendëspresidenti amerikan JD Vance kritikoi publikisht disa ministra të kabinetit izraelit, duke i akuzuar se po sulmojnë verbalisht Uashingtonin, të cilin e cilësoi si “aleatin e vetëm të fortë” që i ka mbetur Izraelit.

Deklaratat e fundit pritet të shtojnë debatet mbi raportet SHBA-Izrael dhe qasjen ndaj programit bërthamor të Iranit.

Trending