Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë, Arben Fetai vazhdon të mos paraqitet në vendin e punës. I njëjti njëkohësisht është edhe koordinator i Këshillit Nacional për Hetime Financiare dhe Konfiskim të Pasurisë në kuadër të Qeverisë. Zëvendëskryeministri i parë, Bekim Sali rastin e Fetait e quan si të izoluar ndërsa arsyetohet se Qeveria funksionon në mënyrë të rregullt. Megjithëse zëvendëskryeministër i parë, Sali nuk e tha troç nëse mos paraqitja e Fetait në punë është korniza të përgjegjësisë dhe rolit që ka Fetai si anëtarë i kabinetit.
“Ne mund të flasim për funksionimin e Qeverisë, vendimmarrjet në Qeveri janë kolektive nuk janë asnjëherë individuale. Krijimi i politikave është gjithashtu në të shumtën e rasteve apo pothuajse gjithmonë në mënyrë kolektive me konsultime e kështu me radhë, kështu që rastet e izoluara individuale sugjeroj që do të ishte mirë, më korrekte që t’i drejtoheni personalisht atij”, deklaroi zv.kryeministri i parë, Bekim Sali.
Pyetëm kryetarin e Antikorrupsionit, Adem Çuçul, nëse mos paraqitja e Fetait në punë përbën shkelje e detyrës zyrtare por i njëjti nuk deshi të komentojë pasi vlerëson se është në kompetenca të kryeministrit dhe Qeverisë.
“Duhet të shihet cili është statuti i këtij trupi ndërsa për udhëheqjen apo mungesën e zv.kryeministrit nuk do të komentoja sepse nuk kemi informacione. Në rastin konkret, përgjegjësia e funksionarit është kompetencë e kryeministrit”, theksoi Adem Çuçul, kryetar i Antikorrupsionit.
Nga opozita shqiptare nuk e përjashtojnë mundësinë që në një të ardhme të afërt të ngritin interpelancë kundër Fetait. Thonë se Fetai nuk paraqitet madje as në pyetje të deputetëve.
“Mos prezenca e tyre për të dhënë llogari në Kuvendin e RMV aty ku duhet të përgjigjen para popullit mund të paramendojmë se çfarë ndodhë në zyrat e tyre në Qeveri. Kështu që në diskutim me grupin parlamentar mund të marrim një hap të atillë”, paralajmëroi Arbana Pasholli nga Fronti Evropian.
Arben Fetai nuk paraqitet në vendin e tij të punës prej muajsh. Shkak për këtë janë dallimet politike që ka ai me liderët e VLEN-it për mënyrën e funksionit të partisë. Fetai është njëri nga emrat më të përfolur për t’u shkarkuar në kuadër të rikonstruimit të Qeverisë në muajin maj./Alsat.mk










