Ministria e Punëve të Brendshme njofton se vërtetimet për gjobat e paguara nga sistemi i trafikut “Qytet i Sigurt”, të cilat janë paguar në bankë ose në mënyrë elektronike, nuk ka nevojë të dorëzohen në stacion policor, transmeton Portalb.mk.
“Sistemi i MPB-së është i lidhur automatikisht me sistemin e Ministrisë së Financave, ndërsa qytetarët janë të detyruar që gjatë pagesës të plotësojnë fletëpagesën sipas udhëzimit juridik të procesverbalit. Kjo do të thotë se duhet të shënohet saktë numri unik i procesverbalit në pjesën ‘referencë numri’ dhe ‘qëllimi i pagesës’ në fletëpagesë”, thonë nga MPB-ja.
Kjo vjen pas reagimeve të shumta të qytetarëve, të cilët deri më tani janë detyruar të paraqiten fizikisht në stacionet policore për të dëshmuar pagesën e gjobave. Ata ankoheshin për pritje të gjata në radhë, procedura burokratike dhe nevojën për të printuar fletëpagesa edhe kur pagesa ishte kryer në mënyrë elektronike.
Qytetarët gjithashtu theksonin se, ndonëse shkeljet evidentohen përmes një sistemi modern digjital, verifikimi i pagesave bëhej në mënyrë manuale, duke shkaktuar humbje kohe.
Kujtojmë se sistemi ‘Qyteti i Sigurt’ hyri në fuqi në shkurt, pasi deputetët më 23 janar votuan për ndryshimet në Ligjin për Kundërvajtje. Sipas pushtetit ky sistem do të rrisë sigurinë në trafik, ndërsa sipas opozitës ka kritika të ndryshme për mangësi të sistemit. Në fazën e parë ‘Qyteti i Sigurt’ funksionon vetëm në Shkup, Tetovë, Kumanovë dhe në Korridoret 8 dhe 10.










