Ne mbetemi me një orientim të qartë strategjik në politikën e jashtme, por gjithashtu mbajmë fort qëndrimin se në këtë moment nuk ka kushte për ndryshime kushtetuese. Kushtet për ndryshime kushtetuese mund të krijohen në bazë të ndërtimit të besimit të ndërsjellë, siç e përsërisim shpesh, dhe besimi i ndërsjellë mund të ndërtohet së pari nëse ka garanci institucionale, gjë që besoj se nuk është problem në pothuajse të gjitha shtetet anëtare, përveç njërës, tha sot Ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme Timço Mucunski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
“Këtu qëndron shqetësimi më i madh dhe gjithashtu pritja që Bullgaria fqinje, nëse priste që ne të përfshijmë pakicën bullgare në Kushtetutën tonë, më e pakta që mund të bënte është të përmbushë detyrimet e saj në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare, domethënë, këtu po i referohemi Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, tha Mucunski në një deklaratë për mediat para fillimit të Forumit të Biznesit të kompanive të IT-së, të organizuar nga Oda Ekonomike për Teknologjitë e Informacionit dhe Komunikimit – MASIT dhe Shoqata e Kompanive të Informacionit të Greqisë (SETPE).










