Modelja dhe ish-missi shqiptare, Xhuliana Nura, ka shprehur publikisht përkushtimin e saj të thellë për Kombëtaren e Shqipërisë, duke theksuar se dashuria e saj për flamurin kuqezi është kultivuar që në fëmijërinë e hershme.
Në një intervistë për televizionin T7, ajo u shpreh se është tifoze edhe e Kombëtares së Kosovës, por ndjenjat ndaj saj nuk janë në të njëjtin nivel emocional si ato për Shqipërinë.
“Unë jam rrit në djep, ku mu ma ka mlu ftyrën me flamurin Kuq e Zi nana. S’kam qysh me dashtë sa e du flamurin Kuq e Zi,” tha ajo.
Nura e konsideroi flamurin e Kosovës si një simbol politik, ndërsa flamurin shqiptar si flamurin e kombësisë dhe identitetit të saj historik.
“Sado që e du [Kosovën], ai është flamur politik, ndërsa ky është i kombëtares dhe i kombësisë sonë,” theksoi modelja.
Sa i përket ndjekjes së ndeshjeve, ajo tha se shkon më shpesh në stadium për Shqipërinë, ndërsa ndeshjet e Kosovës i ndjek më rrallë.
Deklarata e saj ka ngjallur komente të shumta në rrjetet sociale, duke rikthyer debatin mbi ndjenjat kombëtare dhe lidhjen emocionale që shumë shqiptarë kanë me simbolet historike të kombit.










