Në gjimnazin “7 Marsi” në Tetovë, në dy afatet e para të regjistrimeve është pranuar vetëm një nxënës, përkundër kushteve të mira që ofron kjo shkollë. Udhëheqësia e shkollës shpjegon se arsye kryesore për interesimin e ulët është vendndodhja dhe distanca nga zona ku jetojnë nxënësit. Drejtori Ismail Vllashi shprehet se vitin e ardhshëm do të ndërtohet objekt i ri në një lokacion tjetër, dhe pret që me uljen e kritereve në afatet e tjera të rritet numri i regjistrimeve.
Ndryshe nga gjimnazi “7 Marsi”, në shkollën e mesme të mjekësisë “Nikolla Shtejn” në Tetovë ka një interesim shumë të madh për regjistrim. Në afatin e parë janë pranuar 403 nxënës, ndërsa disa programe si motër infermiere dhe kozmetikë janë mbyllur për shkak të numrit të lartë të kandidatëve. Akoma ka vende të lira në drejtimet si teknik, farmaci, fizioterapi, asistent dentar dhe laborant.
Në të gjitha shkollat e mesme të Tetovës janë ende rreth 730 vende të lira për regjistrim, shumica prej tyre në gjimnazin “7 Marsi” dhe shkollat profesionale.





