Analisti politik Florian Nesimi ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e emërtimeve të disa rrugëve dhe shesheve në Tetovë, duke e cilësuar vendimin si të dëmshëm dhe jashtë kompetencave të institucionit, raporton Zyrtare.
Në një postim në rrjetet sociale, Nesimi ka theksuar se emërtimet e reja të rrugëve nuk kanë qenë të reflektuara në dokumentet zyrtare shtetërore.
“Unë jetoj në rrugën ‘29 Nëntori’ dhe kjo rrugë në dokumentet zyrtare gjithmonë ka qenë ‘29 Nëntori’. Vetëm në letrat që vijnë nga komuna, si faturat e mbeturinave dhe të ujit, kjo rrugë quhet Mehmet Pashë Deralla”, ka shkruar ai.
Nesimi ka kritikuar ashpër edhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke vlerësuar se institucioni duhet të fokusohet në çështjet juridike dhe jo në ato politike.
“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është për t’u dënuar. Kjo gjykatë duhet të merret ekskluzivisht vetëm me drejtësinë e jo t’i tejkalojë kompetencat duke u marrë me politikë”, ka deklaruar Nesimi.










