Trendy

Nga Gjermania në Harvard e Cambridge: Emin Gashi, talenti shqiptar që po hulumton trajtime të reja kundër kancerit

Para 3 orë

I lindur dhe rritur në Gjermani, Emin Gashi po ndërton një rrugëtim akademik në shkencat mjekësore, me fokus në hulumtimet për kancerin. Pas një eksperience pesëmujore në Harvard Medical School, ai është pranuar në një program Masteri në Universitetin e Cambridge dhe së fundmi është zgjedhur “Talent i vitit 2026” për performancën e tij akademike.

Emin Gashi, i lindur dhe rritur në Gjermani, po shënon hapa të rëndësishëm në fushën e shkencave mjekësore, ku fokusi i tij kryesor është hulumtimi në fushën e kancerit, shkruan albinfo.ch.

Së fundmi, Gashi përfundoi një semestër pesëmujor si student vizitor në “Harvard Medical School”, në Shtetet e Bashkuara, ku u angazhua në hulumtime që synojnë të kontribuojnë në zhvillimin e trajtimeve më të mira kundër kancerit.

“Gjatë asaj periudhe kam punuar në zbulimin e një proteine që mund të ndihmojë në gjetjen e medikamenteve më të mira kundër kancerit”, është shprehur Gashi për Albinfo.ch.

Tash, rrugëtimi i tij akademik vazhdon në një prej universiteteve më prestigjioze në botë. Gashi do të nisë studimet Master në shkencat mjekësore në “University of Cambridge”, me fokus në hulumtimet për kancerin. Për këtë program, ai ka fituar dy bursa nga shteti, të cilat do t’i mundësojnë vazhdimin e studimeve në Angli.

Arritjet e tij akademike janë vlerësuar edhe së fundmi, pasi Emin Gashi është zgjedhur “Talent i vitit 2026”, për performancën e tij akademike.

Për Gashin, ky sukses ka edhe një dimension të veçantë personal. Ai është i pari në familjen e tij që ka përfunduar universitetin dhe ka ndjekur një rrugëtim të tillë akademik.

“Për mua ky rrugëtim ka një rëndësi të veçantë personale, pasi jam i pari në familjen time që ndjek një rrugë të tillë akademike. Jam i pari në familje që e kam kryer fakultetin dhe kam dalë më i miri”, ka thënë ai.

Me rrënjë shqiptare dhe me një rrugëtim akademik që tashmë e ka çuar nga Gjermania në SHBA dhe drejt Cambridge-it, Emin Gashi po synon që përmes shkencës dhe hulumtimit të kontribuojë në një prej sfidave më të mëdha të mjekësisë moderne – luftën kundër kancerit./Albinfo.ch

Trending