Pak orë para shpalljes së aktgjykimit në çështjen ndaj ish-krerëve të UÇK-së, në Hagë kanë filluar të mblidhen qytetarë të shumtë, ndërsa në qytet është shtuar prania e policisë.
Qytetarë shqiptarë që kanë udhëtuar drejt Hagës kanë marrë me vete flamuj të UÇK-së, të platformës “Liria ka Emër”, si dhe flamuj të Kosovës e Shqipërisë.
Ndërkohë, sipas raportimit të IndeksOnline, policia në Hagë po konfiskon shtizat e flamujve të qytetarëve, qofshin ato prej druri apo prej metali.
Në pamjet e publikuara nga mediumi shihet policia duke ua konfiskuar qytetarëve shtizat e flamujve, në kuadër të masave të shtuara të sigurisë në qytet.
Ky zhvillim vjen në ditën kur në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë pritet të shpallet aktgjykimi në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit. Shpallja e aktgjykimit është caktuar për 16 shtator 2026.
Një ditë më herët, ishte raportuar se policia holandeze kishte kërkuar shmangien e flamujve dhe shtizave në rrugët e Hagës, me arsyetimin e masave të sigurisë dhe parandalimit të gjërave që mund të shkaktojnë lëndime.











