Trendy

Nga ISIS-i te bankat e gjyqit – 20 vjet burg për përfshirje në mizori lufte

Para 9 muaj

Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur fajtor Murat Dernjanin për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit, duke e dënuar atë me 20 vjet burgim, raporton Insajderi.

Aktgjykimi u shpall nga trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Violet Namani Hajra dhe gjykatësit Rrahman Beqiri dhe Kushtrim Shyti. Për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe për të mbrojtur viktimat, procesi gjyqësor është zhvilluar me dyer të mbyllura.

Sipas vendimit të gjykatës, dëshmitë e paraqitura nga viktimat dhe dëshmitarët – të konsideruara të qëndrueshme dhe të ndërlidhura – e identifikojnë Dernjanin si autor të akteve të dhunës të kryera në Siri dhe Irak. Gjykata vlerësoi se veprimet e tij përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të të drejtës ndërkombëtare humanitare, njofton Betimi për Drejtësi.

Dënimi përfshin edhe kohën e kaluar në paraburgim, e cila do të llogaritet në afatin e vuajtjes së dënimit.

E kaluara e Dernjanit dhe lidhjet me ISIS-in
Murat Dernjani nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Në janar të vitit 2019, ai ishte dënuar me 5 vjet burgim për pjesëmarrje në grupe terroriste, pasi kishte pranuar fajësinë për bashkëpunim me organizatën terroriste ISIS.

Sipas aktakuzës së atëhershme, në vitin 2013, ai kishte udhëtuar drejt Turqisë me familjen për t’iu bashkuar ISIS-it. Ai kishte hyrë ilegalisht në Siri dhe kishte qëndruar atje deri në gusht të vitit 2017, përpara se të dorëzohej tek autoritetet turke dhe të kthehej në Kosovë. Raportimet e lidhin atë edhe me Lavdrim Muhaxherin, një nga figurat më të njohura shqiptare në radhët e ISIS-it.

Mbrojtja: “Proces i padrejtë dhe i njëanshëm”
Avokati mbrojtës, Dejan Vasiq, e cilësoi klientin e tij si “njeriun më të privuar nga e drejta”, duke kundërshtuar besueshmërinë e provave të paraqitura nga Prokuroria, të cilat, sipas tij, ishin “të dyshimta dhe të siguruara nga shërbimet e huaja inteligjente”. Ai kritikoi gjithashtu zhvillimin e procesit me dyer të mbyllura dhe kërkoi që Dernjanit t’i jepej mundësia për një deklarim publik.

Megjithë këto pretendime, gjykata i rrëzoi të gjitha kundërshtimet e mbrojtjes dhe e shpalli Dernjanin fajtor për krime kundër njerëzimit, duke vendosur për dënimin maksimal prej 20 vitesh burgim.

Trending