Trendy

NGA PROFESION NË “IDARE”! Pse të rinjtë po e braktisin bujqësinë?

Para 23 orë

Pa një përfshirje më të madhe të të rinjve, bujqësia dhe industria ushqimore do të përballen me një mungesë serioze të fuqisë punëtore në të ardhmen. Veçanërisht shqetësuese është fakti se mosha mesatare e një fermeri maqedonas është mbi 55 vjeç. Kjo është një tregues serioz i mungesës së të rinjve në këtë sektor. Ekspertët thonë se toka bujqësore në vend është e fragmentuar në fusha të vogla me nga dy hektarë që nuk mjafton për të jetuar dhe nuk është një biznes fitimprurës.

Problemi i mungesës së stafit të ri është tashmë i dukshëm edhe në industrinë ushqimore, ku kompanitë po e kanë gjithnjë e më të vështirë të sigurojnë punëtorë të kualifikuar.

” Ne presim mbështetje nga shteti kryesisht për krijimin e stafit të mirë, gjë që do t’u sjellë kompanive produktivitet më të madh, duke i ndihmuar ato të kenë sukses si në eksport ashtu edhe në tregun vendas”, tha Boban Koçovski, një përfaqësues nga një fabrikë ëmbëlsirash.

Njëherësh interesimi midis të rinjve mbetet i kufizuar, pjesërisht për shkak të perceptimit se bujqësia është një profesion i vështirë dhe i pasigurt. Prandaj, sektori ka nevojë për energji të re dhe motivim më të madh, duke pasur parasysh se të rinjtë janë çelësi i zhvillimit të tij. “Ne duhet ta diskutojmë këtë temë më qartë dhe me zë të lartë, sepse bëhet fjalë për prodhimin, një fushë shumë dinamike që kërkon mbështetje nga të rinjtë. Kjo është nga njëra anë, dhe nga ana tjetër, janë problemet me të cilat po përballemi, siç është lufta në Lindjen e Mesme. E gjithë kjo reflektohet në çmimet tona”, tha Prof. Emilija Arsov, Dekane e Fakultetit të Bujqësisë në Shtip.

Ministria përkatëse thekson se të rinjtë kanë përparësi në bashkëfinancimin dhe ndarjen e tokës bujqësore, dhe fokusi është gjithashtu në rritjen e rentabilitetit në sektor. “Ne po i ndihmojmë ata si qeveri dhe si ministri që të kenë përparësi në çdo bashkëfinancim dhe shpërndarje të tokës bujqësore, të kenë një avantazh për këto kushte që ne ofrojmë. Segmenti i dytë, në të cilin është punuar seriozisht gjatë dy viteve të fundit, është në fushën e rentabilitetit në sektorin bujqësor. Unë besoj se ky është çelësi për të motivuar të rinjtë që të hyjnë në këtë proces, sepse në këtë mënyrë ata do të kuptojnë se bujqësia nuk është një lloj dege shoqërore, por përkundrazi një degë fisnike që prodhon ushqim për në shtëpi dhe për eksport jashtë vendit”, tha Cvetan Tripunovski, Ministër i Bujqësisë.

Në kushtet e krizave globale dhe rritjes së çmimeve, nevoja për përfshirje më të madhe të të rinjve në prodhimin e ushqimit po bëhet gjithnjë e më e theksuar, gjë që thekson më tej rëndësinë e përfshirjes së tyre aktive në bujqësi.

Qasja e re evropiane bazohet në rritjen e mbështetjes për të rinjtë dhe futjen e inovaCionit dhe zgjidhjeve dixhitale në bujqësi. Qëllimi është të krijohet një mjedis që do të motivojë brezat e rinj të qëndrojnë në sektor.

Të dhënat e tjera tregojnë se mosha mesatare e fermerëve është 57 vjeç, gjë që tregon qartë se bujqësia po plaket. Rënia e interesit është për shkak të të ardhurave të paqëndrueshme, burokracisë komplekse dhe rregulloreve që dekurajojnë brezat e rinj. Modelet e reja të punës bujqësore përmenden si zgjidhje të mundshme. “Shifrat këtu nuk janë më optimiste – vetëm rreth 12 për qind e fermave drejtohen nga të rinj”, thekson profesoresha Aleksandra Martinovska Stojçeska nga Fakulteti i Shkencave Bujqësore dhe Ushqimore.

Sipas saj, rentabiliteti i ulët që kufizon investimet, mungesa e aksesit në shërbimet bazë në zonat rurale, hendeku gjinor dhe barrët administrative janë ndër arsyet kryesore që i mbajnë të rinjtë larg këtij profesioni.

Mileva Gjurovska, profesoreshë vlerëson se bujqësia mbetet një sektor themelor që kërkon një qasje të re. Sipas Gjurovskës, modelet e vjetra të “bujqësisë për mbijetesë” janë kapërcyer prej kohësh. Një koncept i ri po ndërtohet tashmë në Evropë – fermeri është një prodhues i specializuar, dhe fshati është një komunitet dinamik i lidhur me tregun. “Të rinjtë sot nuk e përjetojnë jetën rurale si një fat të imponuar. Ata kërkojnë perspektivë dhe siguri”, vuri në dukje ajo.

“Interesi i zvogëluar për të punuar në bujqësi është rezultat i disa faktorëve kryesorë, duke përfshirë të ardhurat e ulëta, plasmanin e pasigurt të produkteve, mbështetjen e pamjaftueshme për fermerët e vegjël, mungesën e zgjidhjeve sistemike për mbrojtjen sociale, ndikimin negativ të ndryshimeve klimatike dhe trendin e theksuar të emigrimit. Bujqësia nuk është tërheqëse si aktivitet për të rinjtë dhe, në përgjithësi, për të gjithë popullsinë në vend”, thonë nga Federata e Fermerëve.(koha.mk)

Trending