Ministria e Financave po punon në ndryshime dhe plotësime të Ligjit për Shoqëritë Financiare, me qëllim forcimin e kornizës rregullatore, mbrojtjen më të madhe të qytetarëve dhe përmirësimin e transparencës dhe stabilitetit në funksionimin e këtyre subjekteve, njoftoi Ministria e Financave.
“Po punohet për ndryshime ligjore që parashikojnë krijimin e organeve të detyrueshme të brendshme në çdo shoqëri financiare, si bordi i auditimit të brendshëm, bordi për rrezikun kreditor, bordi mbikëqyrës dhe të ngjashme. Gjithashtu, forcohet kontrolli gjatë hapjes së zyrave të reja afariste, ku do të kërkohet pëlqim paraprak nga Ministria e Financave, sipas kritereve të përcaktuara për kushtet e ushtrimit të veprimtarisë”, informojnë nga Ministria, përcjell PressOnline.al.
Me ndryshimet parashihet edhe rritja e kapitalit themelor të shoqërive financiare, si dhe heqja e pagesave në para të gatshme, me çka mjetet e kredive do të mund të disbursohen vetëm përmes llogarisë bankare. Qëllimi është gjurmueshmëri më e madhe e rrjedhave financiare dhe ulja e rreziqeve për keqpërdorime.
Ministrja e Financave, Gordana Dimitrieska-Koçoska, prej një kohe më të gjatë ka paralajmëruar se kontrollet kanë zbuluar dobësi dhe parregullsi.
“Ministria e Financave vazhdimisht kryen mbikëqyrje në terren dhe jashtë terrenit mbi funksionimin e shoqërive financiare. Gjatë vitit 2025, në kuadër të këtyre kontrolleve, për parregullsitë e konstatuara janë shqiptuar 26 urdhra dhe janë lëshuar 4 urdhërpagesa për kundërvajtje. Gjatë vitit 2025 është revokuar një licencë pune për një shoqëri financiare. Po ashtu, gjatë vitit 2025 nga qytetarët kanë mbërritur dy ankesa që lidhen me shqetësime gjatë arkëtimit të kredive, për të cilat qytetarët janë udhëzuar t’i drejtohen Ministrisë së Punëve të Brendshme. Theksojmë se kompetencë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale ndërmjet shoqërive financiare dhe klientëve të tyre kanë vetëm gjykatat kompetente në Republikën e Maqedonisë së Veriut – deklaruan nga Ministria e Financave për “Sloboden Peçat”, përcjell PressOnline.al.
Ministria e Financave në muajin mars njoftoi se, pas kontrolleve të kryera në shoqëritë financiare, të cilat kryesisht merren me kredi të shpejta, janë konstatuar një sërë parregullsish.
“Ministria e Financave, gjatë mbikëqyrjes së realizuar mbi punën e shoqërive financiare, konstatoi praktika mashtruese tregtare që lidhen, ndër të tjera, me reklamimin e shërbimeve financiare dhe veprime të tjera të shoqërive financiare në kundërshtim me Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorëve”, njoftuan nga Ministria, pa specifikuar sa kontrolle janë kryer dhe te sa shoqëri janë evidentuar parregullsi.
Ata sqaruan se gjatë mbikëqyrjes janë konstatuar raste reklamimi me 0% interes, ndërkohë që në kontratat e kredive ishin parashikuar kosto të tjera shtesë.
“Gjithashtu, janë konstatuar parregullsi që kanë të bëjnë me reklamimin e shërbimeve financiare nën marka tregtare pa u treguar shoqëria financiare që e ofron shërbimin konkret, përdorimin e disa faqeve të internetit nga e njëjta shoqëri financiare, si dhe përdorimin në zyrat afariste të një emërtimi të ndryshëm nga ai i përcaktuar në licencën e punës së shoqërisë financiare”, thuhet në njoftim. (PressOnline.al)










