Shfaqja e flamurit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjatë protestave që po zhvillohen në Shqipëri kundër projektit amerikan në Zvërnec ka nxitur reagimin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK).
Organizata ka bërë të qartë se nuk ka asnjë lidhje me individët që janë shfaqur në këto protesta duke pretenduar se flasin në emër të veteranëve.
“Ky pretendim është i rremë. Nuk kemi dhënë asnjë mandat që dikush të flasë në emër tonë, pasi që ne e kemi përfaqësinë tonë në Tiranë. Nuk pati asnjë bashkërendim dhe nuk u përfaqësua asnjë qëndrim i joni”, thuhet në reagimin e OVL-UÇK-së.
Në reagim theksohet gjithashtu se simbolet e UÇK-së nuk mund të përdoren për qëllime politike.
“Stema e UÇK-së nuk është dekor politik. Është simboli i një lufte të drejtë çlirimtare të paguar me gjak, i mbajtur nga gra e burra që dhanë gjithçka për lirinë dhe shtetësinë e Kosovës. Kërkojmë që emri dhe simbolet e UÇK-së të trajtohen me integritet dhe qoftë hera e fundit që ato keqpërdoren”, thuhet më tej në reagim.










